Lidhin kryefamiljarin, maskat i grabisin 1.2 milionë lekë
Katër persona të maskuar dhe të armatosur mbajtën peng familjen Matranxhi në Laknas dhe i grabitën ata
Vetëm 1 orë pas ngjarjes së ndodhur në Unazën e Re në kryeqytet, një tjetër grabitje me maska do të ndodhte disa kilometra larg tij. Katër persona të maskuar kanë grabitur ditën e djeshme një familje në Laknas të Tiranës, duke vjedhur shumën prej 1.2 milionë lekësh. Nga dëshmitë e marrë në familjen ku ndodhi grabitja mësohet se agresorët kanë marrë me forcë kryefamiljarin, të cilin e kanë lidhur pranë banesës së tij. Përveç kësaj, mësohet se agresorët kanë mbajtur peng nën kërcënimin e armës familjarët e tjerë të kësaj familjeje, derisa u kanë marrë lekët që kishin në banesë. Burime nga policia e Tiranës bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm në fshatin Laknas pranë Kamzës. Katër personat e maskuar dhe të armatosur kanë arritur të hyjnë në banesën e Isuf Matranxhit, 45-vjeçar, me origjinë nga Kukësi, dhe prej disa vitesh banor në këtë fshat. Ky i fundit ka arritur që të ndiejë agresorët, të cilët e kanë kapur dhe më pas e kanë lidhur në një karrige në ambientet e banesës së tij. Më pas, mësohet se agresorët kanë hyrë në dhomën tjetër të banesës, në të cilën ndodhej pjesa tjetër e familjes, duke i mbajtur peng nën kërcënimin e armës. Sipas burimeve policore, agresorët i kanë vënë armën në kokë kryefamiljarit duke i kërkuar që të tregonte se ku ndodheshin paratë. Pasi kanë arritur të marrin shumën prej 1.2 milionë lekësh, para që familja Matraxhi kishte në banesë, katër agresorët janë larguar në drejtim ende të paditur. Pas largimit të tyre nga shtëpia, kanë qenë familjarët e tjerë ata që kanë liruar të afërmin e tyre të lidhur në karrige. Mësohet se menjëherë pas ngjarjes, 45-vjeçari është paraqitur në komisariatin nr. 5, ku edhe ka depozituar një kallëzim penal. Mësohet se janë ngritur disa grupe postblloqesh për të bërë të mundur edhe identifikimin e autorëve. Ndërsa nga hetimet e para dyshohet se agresorët janë katër të rinj, të cilët dyshohet të jenë banorë të kësaj zone. Burimet shtuan se agresorët kanë pasur dijeni që ai posedonte atë shumë të hollash. Madje këta të fundit dyshohet të kenë studiuar 45-vjeçarin për disa ditë me radhë.
Detaj
1.2 milionë lekë kanë mundur t’i marrin në banesë Isuf Matranxhit katër agresorët që e grabitën dje