E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja e Shqipërisë trukohej në Greqi, lakohet emri i ish-trajnerit

Bisedat telefonike të përgjuara nga policia greke kanë zbuluar trukim të ndeshjeve të kombëtares shqiptare, në një aksion që ka asgjësuar katër grupe kriminale para tre ditësh në qytetin e Selanikut. Sipas kanalit të tretë të televizionit shtetëror ERT 3, me qendër në këtë qytet, pas arrestimit të 53 personave që përbënin këto organizata mafioze, të cilat jepnin hua me përqindje deri në 80 % në muaj, mashtronin, bënin shantazh dhe pastronin para të përfituara në mënyrë të paligjshme, zbulohet se një pjesë e madhe e këtyre parave vinte edhe nga trukimi i ndeshjeve. Në bazë të materialit audio që ka në dorë policia greke, një person i ashtuquajtur Portugezi i propozon kreut të një prej katër grupeve, me emrin Marko Karamberi, të luajnë shuma të mëdha parash në dy prej ndeshjeve miqësore të kombëtares shqiptare, në verën e kaluar, me Argjentinën dhe me Malin e Zi. Sipas tij, çdo gjë ishte e rregulluar, sepse kishte biseduar me trajnerin e ekipit shqiptar, madje në ndeshjen me Malin e Zi, sipas tij, fitimi do të ishte trefish i sigurtë dhe mund të trukonin çfarëdo rezultati. Vlen të përmendet se personi që drejtonte këtë organizatë mafioze të këtij qyteti, ishte pronar i disa klubeve të natës, ndërsa para dy vitesh kishte kandiduar në zgjedhjet lokale me partinë ultranacionaliste LAOS. Në llogarinë e tij bankare janë gjetur mbi 5.5 milion euro që rezultojnë të jenë fituar nga skedinat e basteve në ndeshjet, të cilat sipas organeve greke, ai dhe bashkëpunëtorët e tij ka trukuar. Midis dy personave në fjalë janë zbardhur edhe të paktën tre biseda telefonike për trukimin e ndeshjeve të përfaqësueses sllovake. Në orët e ardhshme priten të publikohen të dhëna të tjera nga zbardhja e 3500 faqeve me biseda telefonike, në gjithësej 15000 faqe që përbëjnë dosjen e kësaj cështje që ka tronditur jo vetëm qytetin verior, por gjithë Greqinë. Midis të arrestuarve janë edhe një drejtues i shërbimit të ndjekjes së krimit ekonomik, biznesmenë, avokatë, drejtorë bankash, disa oficerë policie si dhe një prej gazetarëve më në zë të këtij qyteti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›