E Diel, 1 Nëntor 2026

Etiopia sekrete

Etopia rurale është një zonë e madh e heshtur. Zhurmat e vetme që dëgjohen, përveç erës që shushurin mbi fushat e mbjella, janë fjalët e fetarëve, muzika e kishës ortodokse dhe e xhamisë, që sipas qytetarëve është një litani e pakuptueshme, por pastruese. Yohannes Berhanu e di këtë gjë. 40 vitet e tij i ka kaluar në fshatin Kola Diba, mes maleve të krahinës së Amharas, dy orë larg qytetit të Gondarit. Burri nuk ka parë kurrë me sy as shkollë dhe as doktor, e si pasojë nuk di as të shkruajë e as të lexojë. Numëron me gishta. Dëshmitar i paditur i ndryshimit të regjimeve, ka dëgjuar pa dashur jehonën e revolucioneve që vinte nga qytetet. Kur ishte fëmijë, vendi jetonte nën perandorinë e Haile Selassie. Pastaj gjatë adoleshencës vendi qeverisej nga regjimi komunist i Derg-it. Tani në moshë të madhe, vendi është nën regjimin e Republikës Federale Demokratike të Meles Zenawi, Kryeministër që prej vitit 1991. Njerëzit e fuqishëm kanë ndryshuar, ndërsa jeta e këtij fshatari jo. Yohannes është marrë gjithmonë me punë të lehta, të cilat i ka mësuar prej të atit. Prashitja e kësaj toke të fortë, sa vjen e bëhet më e vështirë. Yohannes fiton shumë pak nga të mbjellat dhe arrin të nxjerrë të ardhura sa për veten dhe familjen. Të gjitha shpresat i ka varur te katër bagëtitë që zotëron, duke shpresuar që thatësira të mos i mbysë. Gjithçka e bën me ndihmën e fëmijëve, madje edhe atyre më të vegjëlve, që si ai nuk do të kenë kurrë shansin të shohin një mësues dhe do të kurohen me rrënjë bimësh. Me kalimin e viteve, Yohannes ka mësuar si të mbijetojë; të mos flasë me zë të lartë, të mos bërtasë dhe mbi të gjitha të mos ankohet. Burri e di çfarë duhet të bëjë, pasi është lodhur gjithë ditën në punë. Hyn në kasollen prej kashte, e cila ndriçohet nga një copë qiri, me pak lekë, pastaj mbledh familjen rreth radios kineze me bateri, i vetmi send i modernizmit. Dëgjon lajme të reja nga qeveria, në të vetmet valë që arrijnë në fshat. Në fund, ashtu në qetësi, pasi perëndon dielli shkon për të fjetur. Nëse do të ketë fat, pas një nate të zjarrtë me gruan, do të sjellë në jetë një tjetër. Do të ishte i njëmbëdhjeti. Gjërat do të shkonin edhe më mirë nëse do të ishte mashkull.
Si Yohannes, në Etiopi jeton 85 për qind e popullsisë, i lidhur fort pas bujqësisë. Në çdo cep të këtij vendi, pjesa më e madhe e 80 milionë etiopianëve, nuk ka shpresa të tjera përveç asaj që ofron toka. Kryeministri dhe qeveria e tij shëndoshen dita-ditës falë punës së fshatarëve dhe qëndrojë krenarë para përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar. Mbi shpatullat e këtyre fshatarëve reklamohet rritja ekonomike e Etiopisë, e cila prej vitesh deklarohet dyfish. Partia Demokratike revolucionare e popullit etiopian, prej 18 vjetësh në pushtet, i ka reklamuar botës idenë e saj të progresit: të rrisin prodhimtarinë e kësaj shtrese të varfër shoqërore. Gjithashtu, qeveria ka insistuar që tokat të prashiten me dorë, jo me makineri. Por në fakt, ky program zhvillimi ka dështuar. Në dekadën e fundit, prodhimi është rritur vetëm falë rritjes së hapësirave të mbjella sipas metodave moderne. Por pavarësisht kësaj, prodhimet nuk kanë mjaftuar për një popullsi që dyfishohet çdo 25 vjet. Kështu, në fshat, të ardhurat për një banor, janë më të ulëta se në vitet ‘70, kohë kur vendi ishte nën sundimin e kohërave të monarkisë obskurantiste të Haile Selassie. Kjo edhe për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve bazë. Kryeministri Zenawi e mohon faktin e zisë së bukës në Etiopi. Nuk e sheh krizën që ka pushtuar vendin. Ai flet për vështirësitë që lidhen me situatat e ndryshme lokale. I zhvat paratë e emergjencës dhe nuk planifikon asgjë për vendin. Kështu, gjatë viteve të arta të bujqësisë, si më 2005-n, 10 për qind e etiopianëve varet nga ndihmat ushqimore për të mbijetuar. Por vitet e arta sa vijnë e po pakësohen. Ndryshimet klimatike po e vënë përballë një prove shumë të vështirë rezistencën e qytetarëve. Shirat sa vijnë e po pakësohen, ndërsa shkretëtira po avancon në shumë qytete. Për shkak të thatësirës, shumë të mbjella po thahen dhe mijëra bagëti po ngordhin.
Sipas disa qendrave të pavarura kërkimore që gjenden në vend, nëse nuk do të ketë një ndryshim në rritjen e popullsisë dhe në drejtimin e fshatrave, pas 20 vjetësh, të paktën 40 milionë qytetarë në Etiopi duhet të kërkojnë lëmoshë dhe ndihma humanitare për të mbijetuar. Qeveria mohon gjithçka dhe tregon progres të madh për bujqësinë vendase.
Në zyrat e qeverisë pranohen vështirësitë teknike, demografike dhe strukturore, që kërkojnë kohë për t‘u sistemuar. Sipas pushtetarëve janë probleme të vogla, të cilat mund të rregullohen. E rëndësishme është të flitet mirë dhe të mbahen larg fshatrave sytë e komunitetit ndërkombëtar. Në Etiopi, toka i përket shtetit dhe sot shteti është partia e Kryeministrit. Qytetarët detyrohen me forcë të votojnë për partinë në pushtet, pasi në të kundërt për ta nuk do të ketë ndihma.

Yohannes mblodhi veglat e tij dhe po bëhet gati të kthehet në shtëpi. Shpreson të gjejë diçka të ngrohtë për të ngrënë. Iku edhe një ditë tjetër. Hyn në shtëpi. Qiriri ka mbaruar. Bëhet gati të shkojë në supermarket, por papritur kujtohet që nuk ka asnjë qindarkë në xhep. Radioja flet për zgjedhjet e ardhshme, që do të zhvillohen në maj të 2010-s, të cilat do të jenë të lira dhe demokratike. Yohannes kujton fjalët e një prej funksionarëve lokalë të partisë, i cili e kishte vizituar fshatin para një jave. Zotëria u kujtonte njerëzve se duhej të votonin dhe ta bënin me mend në kokë këtë gjë. Gjithashtu, u kishte premtuar të mbjella dhe ndonjë thes miell. Ai nuk ishte ndalur te rreziqet që u kanoseshin qytetarëve nëse nuk votonin për partinë në pushtet.
Por Yohannes solli edhe një herë në kujtesë ngjarjet që u kishin ndodhur shumë personave para pesë vjetësh, kur kishin vendosur të kthenin faqe, pra të mos votonin me partinë në pushtet. E kishin paguar shtrenjtë. Kështu që do të ishte më mirë të rrinte urtë dhe të ecte para me kokën ulur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›