E Diel, 1 Nëntor 2026

Zvicra në alarm prej "mafies shqiptare"

Gjatë këtij viti, shtypi zviceran dhe ai ndërkombëtar ka shkruar vazhdimisht për aktivitetet e mafies serbe në Zvicër apo vendet e tjera europiane, ku shpesh është dhënë alarmi se "mafia serbe po kërcënon Europën", duke iu referuar shumë rasteve të plaçkitjeve apo kapja e 2 tonëve drogë në Cyrih, trafik në të cilin janë përfshirë kryesisht ish-oficerë apo ish-policë serbë.
Por, ditëve të fundit nuk mungojnë titujt sensacionalë në gazeta zvicerane për trafik droge në ketë vend edhe për bandat kriminale shqiptare, siç është shkrimi i fundit në gazetën e djeshme në "Tribune de Geneve" të titulluar "MAFIA SHQIPTARE PO INSTALOHET NË GJENEVË".
Më konkretisht, prokurori Yves Bertossa shpreh shqetësimet për aktivitetet kriminale të shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia. Sipas prokurorit zviceran, këto aktivitete kriminale dhe ilegale të shqiptarëve në Gjenevë e Zvicër u sjellin keqbërësve miliarda franga. Ai ka shpjeguar se mjetet financiare derdhen në vendin e origjinës, duke korruptuar politikanët dhe policinë për interesa të tyre.
Kjo gazetë sjellë këtë shkrim vetëm dy ditë pas heqjes së vizave për qytetarët e Serbisë dhe Malit të Zi, por jo edhe për ata të Shqipërisë, të Kosovës apo të Maqedonisë. Sidoqoftë, në këtë intervistë të prokurorit Bertossa, ku shprehet shqetësimi për pasigurinë në Gjenevë dhe Zvicër, këto aktivitete kriminale janë një pikë e zezë për imazhin dhe perspektivën e shqiptarëve, qoftë atyre në Zvicër apo atyre në Shqipëri e Kosovë.
Meqenëse në Zvicër sot ka shumë asociacione politike a apolitike, përfshi këtu edhe katër ambasadorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, nuk do të ishte keq që vitin e ardhshëm përveç debateve politike të mbajnë ligjërata apo tribuna me tema të larmishme rreth integrimit dhe luftës kundër krimit të organizuar, që do të ishte si preventivë e implikimit të të rinjve tanë në dukuritë negative në mjedisin ku jetojmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›