Qeveria rrit dietat për administratën
Punonjësit e administratës do të operojnë në kushte më të mira sa u takon udhëtimeve të shërbimit. Kryeministri Sali Berisha ka ndryshuar javën e kaluar një vendim të miratuar në 2001-shin (në atë kohë Kryeministër ishte Meta), sipas të cilit përcaktoheshin nivelet e përdorimit të buxhetit për dietat e shërbimeve jashtë zonës ku ushtrohej profesioni. Kështu, punonjësit e ndërmarrjeve dhe të institucioneve shtetërore kur shkojnë me shërbim jashtë qendrës së tyre të punës dhe nuk kthehen brenda ditës në vendbanimet e tyre, përfitojnë dietë në masën 10% të pagës mujore, por pa kaluar 2500 lekë (ishte 2000 lekë) në ditë dhe jo më pak se 1000 lekë në ditë. Shpenzimet e fjetjes paguhen sipas dokumenteve të paraqitura, që e vërtetojnë atë, por jo më shumë se 3000 lekë (nga 2000 lekë) për çdo natë të fjetur. Shpenzimet e udhëtimit paguhen sipas vleftës së biletës së udhëtimit me transport hekurudhor, automobilistik dhe ujor. Kur udhëtimi bëhet me taksi apo furgona, shpenzimet e udhëtimit paguhen sipas çmimeve të miratuara për linjën përkatëse me tren, autobus ose anije, plus 25 për qind të çmimit të biletës së transportit të linjës me autobus dhe kur nuk ka linjë autobusi të trenit apo të anijes. Rritje deri në 50 për qind të dietave ka edhe për kategoritë e tjera. Sipas vendimit, nuk përfitohet dietë në rast se shërbimi kryhet 100 km larg vendndodhjes së ambientit të punës. Më parë përjashtim bënin vetëm shërbimet që kryheshin në zonat dhe fshatrat afër qytetit ku ndodhet institucioni që bën shërbimin. Sa u takon studentëve, nuk ka ndryshuar dieta, duke e lënë vetëm 900 lekë.