Eto: Do të marr hak
08/03/2005 Sulmuesi i Barcelonës Samuel Eto është shprehur se do t’i pëlqente së tepërmi që t’i tregojë Çelsit se goli i shënuar në “Kamp Nou” nuk ka për të vlejtur shumë. Në fakt kamerunasi ka qenë nën vëmendjen e bluve për një transferim të mundshëm në muajt e verës, por më pas u zgjodh sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba. Në këtë mënyrë skuadra katalanase duket se do të zbarkojë në “Stemford Brixh” me petkun e favoritit, ndonëse në takimin e parë është arritur një rezultat i ngushtë me shifrat 2-1. “Ajo çfarë na duhet, është vetëm një gol”, ka thënë Eto. Më pas gjithçka do të mbetet në dorën tonë. Me këto fjalë, unë dua të them se i kemi të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar. Edhe unë po ashtu do të jap maksimumin tim për të kaluar në avantazh skuadrën time. Do të përpiqem të shfryj gjithë dufin nga Çelsit, për mënyrën se si më ka trajtuar. Unë do t’i bëj që të paguajnë gjithë mundimet e hequra si pasojë e neglizhencës gjatë muajve të merkatos. Jam i sigurtë se edhe Murinjo do të pendohet për zgjedhjen e tij. Ai duhet ta kuptojë një herë e mirë se unë jam më i mirë se kushdo prej lojtarëve, të cilët luajnë me Çelsin. Do të jetë ai personi kryesor, i cili do të paguaj çmimin e rëndë të skualifikimit nga Liga e Kampioneve”.