Eto‘o kërkon 3 milionë euro, gati denoncimi për Barcelonën
Samuel Eto‘o pretendon që Barcelona t‘i paguajë 15 për qind të shifrës që Interi pagoi për ta transferuar në "Xhuzepe Meaca". E thënë ndryshe, kërkesa e lojtarit është e barasvlefshme me 3 milionë euro. Sipas mediave spanjolle, sulmuesi kamerunas ka kërcënuar se është i gatshëm të hedhë në gjyq klubin katalan. E përditshmja madrilene "As" shkruante se në ditët në vazhdim palët do të takohen për të sheshuar kontradiktat dhe për të gjetur një zgjidhje për këtë problem. Gjithsesi, Barça ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend t‘i paguajë asnjë shifër lojtarit, duke e cilësuar si të pajustifikuar kërkesën e tij. Drejtuesit "blaugrana" nënvijëzuan se pagesa e 15 për qind të shifrës për lojtarin, si parashikohet në kodin e Shoqatës së Futbollistëve Spanjollë (AFE), është e detyrueshme vetëm në transferimet ndërmjet skuadrave të La Ligas. Një tjetër pikë ku mbështetet mbrojtja e Barçës është se kjo përqindje duhet të vijë nga klubi ku lojtari u transferua, që në rastin e Eto‘o është Interi. Kamerunasi u bë pjesë e zikaltërve të drejtuar nga Zhoze Murinjo pas kalimit të Zlatan Ibrahimoviç në "Kamp Nou". Vlera e transferimit të tij u përllogarit në rreth 20 milionë euro, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që kjo polemikë të gjejë zgjidhje vetëm në gjykatë.