Në një takim me organizatorët diskutohen detajet e fundit
Dy ditë para se Festivali i Gjirokastrës të ngrejë siparin, ministri i ri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferri, ka shkuar të vizitojë Gjirokastrën e të shohë nga afër përgatitjet. Pas një takimi me komitetin organizativ, ku janë diskutuar detajet e fundit, ministri ka deklaruar se gjithçka është gati për një festival nga më cilësorët. Optimizmin e tij, z. Xhaferri e ka justifikuar me punën që organizatorët kanë bërë gjatë gjithë vitit për këtë aktivitet që realizohet njëherë në pesë vjet. Pas vizitës në kala, ministri është shprehur se ka pasur një punë të kujdesshme për detajet: ndriçimin, skenën, restaurimin e pjesëve të kalasë dhe ambienteve të saj që do të shfrytëzohen si dhoma zhveshjeje për grupet konkurruese. Çeljes së festivalit, do t‘i paraprijë një koncert mirëseardhje që do të organizohet nga bashkia e qytetit në orën 16.30 në qafën e Pazarit të vjetër. Po kështu, do të ketë një panair zejtarësh dhe aktivitete të tjera karakteristike. Një nga diskutimet e takimit të djeshëm kanë qenë sërish veshjet popullore me të cilat grupet duhet të shfaqen në skenë. Duke iu referuar këtij problemi, ministri Xhaferri ka deklaruar se ky është problem i grupeve konkurruese, duke kujtuar se këtë vit ministria ka akorduar një buxhet më të madh për çdo grup përfaqësues, një pjesë e të cilave e destinuar për rikonstruksionin e kostumeve apo marrjen e tyre me qira. Grupet e para pritet të mbërrijnë pasnesër në Gjirokastër.