Ronaldinjo: Nuk kam menduar kurrë të tërhiqem
Vetëm pak ditë më parë, e përditshmja spanjolle "Sport" publikoi një artikull, ku spekulonte se Ronaldinjo po mendonte të tërhiqej nga futbolli. Gazeta katalane theksonte se "braziliani ka humbur motivimin për të luajtur në nivelet më të larta në Europë. Atij i ka përfunduar benzina dhe as rroga prej 6.5 milionë eurosh që përfiton në Serinë A nuk i ka shërbyer që t‘i kthejë buzëqeshjen. Trajneri i përfaqësueses braziliane, Dunga, duket se ka vendosur ta lërë jashtë skuadrës që do të ketë në dispozicion në Botërorin 2010, një vend që i ka dhënë goditjen e fundit lojtarit". I pari që ka reaguar ndaj këtij lajmi ka qenë vëllai-menaxher i fantazistit, Roberto de Asis, ndërsa përgënjeshtrimi ka ardhur edhe nga vetë Ronaldinjo. Ky i fundit jo vetëm që duket se nuk ka ndërmend të largohet nga fushat e lojës, por synon të respektojë deri në fund kontratën që e lidh me kuqezinjtë deri në vitin 2011. "Nuk kam menduar kurrë që të tërhiqem", ishte kundërpërgjigjja e numrit 80 të Milanit. "Ndryshe nga ajo që ka shkruar gazeta spanjolle ‘Sport‘, ideja që të mos luaj më futboll nuk më ka kaluar asnjëherë në mendje. Ky lajm, që më pas u përhap me shpejtësi në të gjithë botën është i nxituar. Media në fjalë kërkon vetëm të bëjë bujë, duke abuzuar me emrin tim. Jam shumë i lumtur në Milano dhe te skuadra e Milanit. Në të njëjtën mënyrë jam ndier mirë edhe në të gjitha qytetet dhe klubet e tjera ku kam luajtur. Kritikat, qofshin këto pozitive apo negative, janë të vlefshme, por duhet të kenë baza. Është e papranueshme që publikohen informacione të tilla të pavërteta". Ronaldinjo akuzon të përditshmen e Barcelonës se nuk ka bërë verifikimet e duhura përpara se të publikonte lajmin për tërheqjen nga futbolli. 29-vjeçari shpjegoi se "Sport" e persekutonte edhe në periudhën kur luante me Barçën: "Nuk janë kursyer asnjëherë kur bëhej fjalë për të shkruar artikuj të pavërtetë ose fjalë të ashpra ndaj meje. Natyrisht që unë këtë e cilësoj si një lloj persekutimi që kjo gazetë më bën". Në fund, ish-"Topi i Artë" premton: "Të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë, sepse dëshiroj të respektoj kontratën time me Milanin, e cila zgjat deri në vitin 2011. Së bashku me shokët e skuadrës, do të luftojmë për të fituar të gjithë titujt për të cilët jemi në garë".