E Diel, 1 Nëntor 2026

"Euforia e fitores me ekipin e Tiranës na ndëshkoi me Dinamon"

 

Humbja e Flamurtarit ndaj Dinamos ka sjellë pakënaqësi në radhët e tifozëve dhe stafit teknik. Fakt është se ajo erdhi pikërisht në momentin më të mirë të ekipit, kur kuqezinjtë kishin fituar në transfertë ndaj kampionëve në fuqi. Për këtë trajneri mundohet të gjejë arsyet e këtij dështimi në përballjen me blutë e kryeqytetit. "Ngarkesa emocionale ka qenë një ndër shkaqet që ne humbëm kontrollin e lojës në disa pjesë të saj, sepse, që të jemi realistë, në pjesën e parë të ndeshjes ne paraqitëm atë çka kërkuam, ndonëse pa arritur të shënonim. Nuk kam asgjë për të thënë edhe për gjykimin e këtij takimi, ngase mendoj se arbitrimi ishte korrekt", shprehet për "Panorama" trajneri i Flamurtarit, Memushi. Tekniku ka shpjeguar edhe arsyet e humbjes së kësaj ndeshjeje, duke e vënë theksin më së shumti te gabimet e skuadrës së tij dhe tek forca e kundërshtarit. "Kampionati është i gjatë dhe për këtë arsye e rëndësishme është që ekipi të mos bjerë në pesimizëm pas humbjes. Unë mendoj se skuadra ka luajtur mirë dhe, për të qenë i sinqertë, ishte një rezultat të cilin ne nuk e prisnim. Megjithatë, e kishim marrë parasysh edhe faktin që Dinamo kishte realizuar një fitore në transfertë. Mirëpo euforia që na kishte përfshirë, sigurisht nuk qe në anën tonë për të fituar trepikëshin", tërheq vëmendjen Memushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›