E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mihani: Kjo Besë, këtë sezon e frikshme për çdo kundërshtar

 

Mesfushori kavajas i Besës, Meglid Mihani, rikthehet sërish tek goli duke shënuar në ndeshjen e javës së fundit kundër Shkumbinit. Pas golit të parë të shënuar nga Çikalleshi, kavajasi Mihani i vuri "vulën" fitores së Besës. Për të, ky është goli i parë në këtë sezon dhe në prononcimin e tij shprehet tepër i kënaqur që ishte një nga shënuesit në Peqin. "Jam tepër i gëzuar së pari për fitoren që arritëm kundër Shkumbinit, pasi ishte shumë e rëndësishme për ne dhe besoj se e merituam. Luajtëm në një fushë shumë të vështirë, ku natyrisht që nuk është aspak e lehtë që të fitosh. Mund të them gjithashtu se kjo ndeshje ishte më e mirë se ajo e javës së parë kundër Vllaznisë. Sigurisht që edhe fitorja me shkodranët ishte e rëndësishme, por kjo ndaj Shkumbinit vlen më shumë pasi u arritur në fushë kundërshtare përballë një rivali historik", u shpreh mesfushori. Duke vazhduar prononcimin Mihani thotë se Besa është e pathyeshme nga çdo kundërshtar. Sipas tij ekipi është konsoliduar plotësisht dhe optimizmi është në maksimum. "Në këto dy javë kemi mundur dy ekipe shumë të forta të Superiores. Besoj se kjo nuk është pak. Kemi treguar se jemi një skuadër e frikshme që mund të fitojë edhe në transfertë", përfundon Mihani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›