Grabitet me armë kazinoja në qendër të Shkodrës
Shkodër Një person i maskuar dhe i armatosur ka grabitur një kazino në Shkodër. Krimi ka ndodhur në 06:30 të mëngjesit të djeshëm, në një kazino në qendër të Shkodrës, pranë sheshit “2 Prilli”.Grabitësi ka hyrë në ambientet e kazinosë në momentin kur po bëhej dorëzimi i turneve dhe punonjësit po llogarisnin paratë e xhiros.
I maskuar dhe me një pistoletë në dorë, ai ka rrëmbyer një sasi parash duke kërcënuar punonjësit dhe më pas është larguar me shpejtësi. Punonjësit e kazinosë kanë lajmëruar policinë, e cila ka ardhur me shpejtësi, por pa mundur të bëjë identifikimin e autorit. Ajo është marrë me gjetjen e gjurmëve të grabitësit në vendin e ngjarjes dhe marrjen në pyetje të punonjësve të kazinosë. Nga të dhënat e grumbulluara deri tani rezulton se personi ka hyrë i vetëm në lokalin e lojërave të fatit, vetëm pak metra larg një filiali banke që ruhet me polici private. Sipas dëshmive të dhëna, grabitësi ka qenë i maskuar dhe pasi ka marrë paratë, është larguar me shpejtësi. Policia dyshon se ai ka pasur bashkëpunëtorë që e kanë pritur jashtë ambienteve të kazinosë dhe është larguar me shpejtësi, pa mundur të identifikohet. Kjo kazino është grabitur dhe njëherë në fillim të këtij viti, ku u mor një shumë prej 120.000 lekësh, por autori u kap nga policia në të njëjtën ditë.
Djana Kolaj