Shqiptarët e Luginës së Preshevës, bojkot censusit serb
Shqiptarët e Luginës së Preshevës po bojkotojnë regjistrimin e popullsisë në Serbi. Përfaqësuesit e shqiptarëve të atjeshëm thonë se ky proces po bojkotohet për shumë arsye, e një prej tyre, siç thonë ata, është edhe përpilimi i listave të shkruara vetëm në gjuhën serbe dhe me alfabetin cirilik. Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, thotë për Radion Europa e Lirë, se regjistrimi po refuzohet nga shqiptarët pasi që, sipas tij, nuk janë garantuar kushtet për një regjistrim të drejtë. “Shqiptarët e Luginës së Preshevës në tërësi nuk marrin pjesë në procesin e regjistrimit që po zhvillohet në Serbi, për arsye se nuk janë garantuar kushtet për një regjistrimit të drejtë. Po ashtu u pamundësohet një numri të caktuar të shqiptarëve të regjistrohen, sidomos atyre që për momentin janë jashtë vendit”, deklaron Kamberi. Ky bojkotim po ndodh me qëllim që edhe faktori ndërkombëtar të kuptojë për gjendjen në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës e Preshevës, thotë Kamberi. Nga ana tjetër, Belgëzim Kamberi, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Luginë e Preshevës, e sheh si të drejtë bojkotin e regjistrimit nga ana e shqiptarëve. Ai vlerëson se ky refuzim nuk do të lejojë që të legjitimohet numri i madh i popullatës së zhvendosur. Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë thënë se persona ose familjet të cilat refuzojnë pjesëmarrjen në regjistrim, do të gjobiten sipas ligjit për regjistrim. Dënimet thuhet se do të jenë nga 198 deri 495 euro. Mirëpo, Belgëzim Kamberi nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë, pasi që, siç thotë ai, do të jetë e pamundur që diçka e tillë të bëhet për të gjithë shqiptarët e luginës. Vendimi për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë nga shqiptaret ka ardhur nga Kuvendi i deputetëve shqiptarë, që është organi i vetëm që bashkon shumë parti në këtë zonë shqiptare në Serbi, nga tri komunat me shumicë shqiptare: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Me rastin e publikimit të këtij vendimi, kryetari i partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, i cili është i vetmi shqiptar deputet në Kuvendin e Serbisë, pati deklaruar se “me regjistrim, nuk do të mund të shihet gjendja reale e shqiptarëve, pasi shumë prej tyre janë shpërngulur nga këto zona. Ka shumë probleme, si moskrijimi i kushteve për kthimin e popullatës së dëbuar nga viti 1999, për shkaqe sigurie, pengesat në pajisjen e qytetarëve me dokumentacion personal, veçanërisht problemet në rregullimin e vendbanimeve, dhe se rrezikohet ndryshimi artificial i strukturës demografike të këtyre komunave”. Sido që të jetë, lëvizja më e madhe e qytetarëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, sipas përfaqësuesve të partive politike shqiptare, ka ndodhur pas liberalizimit të vizave për Serbinë.