E Diel, 1 Nëntor 2026

Euobserver: Vizat nuk hiqen në verë, Bosnja para Shqipërisë

Analiza Rekomandimi i mundshëm nga komisioni, nuk do të paraqitet përpara qershorit

Premtimi i qeverisë shqiptare se qytetarët e saj do mund të udhëtojnë pa viza që prej kësaj vere, nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Sipas “Euobserver”, Komisioni Europian ende nuk ka prezantuar një raport në lidhje me plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Qytetarët e dy vendeve kanë ende nevojë për një vizë që të vizitojnë vendet e hapësirës Shengen, ndërsa Bashkimi Europian hoqi vizat për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë vitin e shkuar. Kosova ende nuk është përfshirë në këtë proces. “Euobserver” u referohet burimeve nga Bashkimi Europian, që thonë se komisioni do ta paraqesë raportin gjatë këtij muaji dhe rekomandimi i mundshëm nuk do të paraqitet përpara qershorit. Referuar traktatit të Lisbonës, aprovimi nga Parlamenti Europian është i domosdoshëm për të kaluar drejt një regjimi pa viza për dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Parlamenti Europian duket se ka vullnet për të marrë një vendim të tillë, por do t’i duhen së paku dy muaj që të ndërmarrë hapat proceduralë të natyrës formale. Në fund të kësaj procedure, u takon vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të marrin vendimin final. Diplomatët e Bashkimit Europian presin që ekspertët e komisionit në raportin e tyre të prillit të konfirmojnë se Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë progres drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara për liberalizimin e vizave. Por, mbase ata do të thonë se dy vendet nuk i kanë përmbushur totalisht kriteret. Referuar burimeve, Bosnja ndodhet në një pozitë më të mirë se sa Shqipëria. Diplomatët e Bashkimit Europian thonë se janë surprizuar nga kërkesa e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për të ndarë dy vendet në trajtimin e tyre për liberalizimin e vizave. “Ne e respektojmë këtë kërkesë dhe kjo është në përputhje me praktikat tona. Ne ndjekim një proces të bazuar mbi meritat individuale të secilit shtet”, tha një diplomat i Bashkimin Europian. “Por nëse ka një shtet që mund të shohë heqjen e vizave përpara një tjetri, shanset janë që të jetë Bosnja më shumë se sa Shqipëria”, tha ai. Në rastin e Bosnjës ka një presion politik drejt Bashkimit Europian për heqjen e regjimit të vizave përpara zgjedhjeve të përgjithshme të tetorit. çështja është shumë e ndjeshme në Bosnjën e ndarë në etni të ndryshme. Myslimanët e Bosnjës kanë nevojë për leje për të lëvizur lirshëm, ndërsa serbët dhe kroatët mund të marrin pasaporta nga fqinjët në Serbi dhe Kroaci, duke shmangur një kusht të tillë. Shumë vëzhgues, përfshirë edhe anëtarë të Parlamentit Europian, kritikojnë vendimin e Bashkimit Europian për heqjen e vizave ndaj Serbisë dhe lënien në fuqi të regjimit për Bosnjën. Kjo për shkak se myslimanët e Bosnjës janë ndër viktimat më të mëdha të luftës në këtë vend. Sakaq, situata politike në Shqipëri, me opozitën e cila refuzon të plotësojë vendet e saj në Parlament, mund të ketë pasoja në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. “Ne nuk duam që qytetarët shqiptarë të bëhen viktimë e politikanëve të tyre dhe do të dëshironim heqjen e regjimit të vizave sa më shpejt të jetë e mundur. Por nëse kriteret nuk janë përmbushur, ne kemi frikë se disa vende anëtare të Bashkimit Europian nuk do të binden dhe se do të dojë kohë derisa vendimi të merret”, paralajmëroi zyrtari i Bashkimit Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›