Zhduket 16-vjeçarja, policia nis kërkimet
Një 16-vjeçare është larguar prej tri ditësh nga shtëpia, duke alarmuar familjarët. Nëna e vajzës ka hezituar fillimisht për të denoncuar mungesën e saj, po më pas i është drejtuar policisë për ndihmë. Rezarta Tahiraj, që sapo ka mbushur 16 vjeç, është larguar nga shtëpia më 3 prill dhe që nga ai moment, familja e saj nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e vajzës. Pas dy netësh mungese në banesë, nëna e vajzës nga Sukthi, N. Tahiraj ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë së Shijakut. Gruaja me banim në Sukth të Durrësit ka kërkuar ndihmë për gjetjen e së bijës që ka kryer vetëm arsimin 8-vjeçar dhe policia me të marrë kallëzimin ka shpallur në kërkim adoleshenten. Burimet policore thanë se kohët e fundit janë shtuar shumë largimet nga shtëpia të adoleshentëve, në shenjë rebelimi ndaj konflikteve normale që ndodhin mes tyre dhe prindërve. Pak ditë më parë një adoleshent nga fshatrat e Ishmit ishte fshehur në një kasolle bari, ndërsa policia ishte vënë në kërkim të tij pas kallëzimit të familjarëve në polici. Ndërkohë është bërë shpallja në kërkim e 16-vjeçares Tahiraj dhe policia po punon për gjetjen e saj.
#