E Shtunë, 31 Tetor 2026

17-vjeçarja: I dashuri më mbante lidhur për tu bërë prostitutë

Dëshmia rrëqethëse e rrëmbimit, mbajtjes peng dhe përdhunimit për katër muaj radhazi Operacioni “Mysafiri” në Tiranë zbulon grupin prej katër vetash

Prej katër muajsh kishte dalë për një kafe e deri dje nuk dihej se ku ndodhej. Familja e saj, në ankth, kishte mbetur çdo ditë para dyerve të policisë me shpresën se do gjenin vajzën 17-vjeçare, që ishte larguar para vitit të ri, por kurrë nuk u kishte shkuar në mendje se ajo ishte rrëmbyer, përdhunuar, mbajtur peng e shfrytëzuar si prostitutë për muaj me radhë. Historia rrëqethëse ka ndodhur me adoleshenten nga Yzberishti, me iniciale M. Xh., që kishte rënë pre e mashtrimit të “dashurisë së saj të parë”. Ai që adoleshentja e dashuronte me gjithë zemër, kishte organizuar shfrytëzimin e saj, në bashkëpunim me tre shokët e tij, duke e përdorur si prostitutë në një nga hotelet në autostradën Tiranë-Vorë. Dje, policia ka mundur të lirojë nga tutorët vajzën e re e të vendosë në pranga katër organizatorët.

Historia

Historia zë fill në tetor të vitit 2009, por vajza u zhduk pak para Vitit të Ri. Në atë kohë, vajza është njohur me Gentian Prengën, me të cilin është dashuruar. Lidhja e tyre ka vijuar deri në muajin dhjetor. Sipas dëshmisë që vajza ka dhënë pas lirimit nga tutorët, në muajin dhjetor, i dashuri i saj ka filluar ta prezantojë me disa persona të tjerë të dyshimtë. Ditën e rrëmbimit, ai i ka premtuar një drekë, duke e marrë me vete me makinë. Kur kanë shkuar për drekë, atje ka gjetur edhe shokët e të dashurit. Ata kanë filluar të tallen me të dhe vajza e re ka kërkuar të largohet. Në atë kohë, i dashuri i saj është larguar për pak, por nuk është kthyer. Dy persona të tjerë e kanë marrë me dhunë, e kanë rrahur dhe e kanë çuar në një dhomë hoteli, duke e përdhunuar. Më vonë e ka përdhunuar një tjetër, ndërkohë që e kanë mbajtur të lidhur me një litar dhe i kanë mbyllur gojën që të mos bërtasë. Për disa ditë e kanë mbajtur nën presion, duke i thënë se do t’i vrisnin edhe familjen, me qëllim që ta frikësonin dhe ajo të punonte si prostitutë lirshëm për ta. Kështu, sipas kërkesave, ata e merrnin me mjete të ndryshme adoleshenten dhe e dërgonin në hotele, ku ajo detyrohej të kryente marrëdhënie seksuale me klientë, të cilët paguanin të rinjtë.

Denoncimi

Kjo histori ka nisur që nga data 21 dhjetor, kur vajza e re nuk është paraqitur në banesën e saj dhe i ati, i cili ka tentuar të lidhet në telefon me të, por nuk ka mundur, i është drejtuar uniformave blu. A. Xh. 51 vjeç, është paraqitur në Komisariatin nr. 6 dhe ka kërkuar ndihmën e policisë, për ta gjetur 17-vjeçaren. Ai ka rrëfyer më tej se ajo nuk ishte larguar asnjëherë më parë dhe ky veprim e shqetësonte. Për këtë arsye i ka vënë në dispozicion policisë të gjitha dokumentet e mundshme të vajzës së re si dhe fotot e saj. Menjëherë, kartela e saj është shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, por nuk është konstatuar në ndonjë tentativë për të udhëtuar jashtë shtetit.
Kur po shuheshin shpresat dhe mendohej se ajo mund të ishte larguar me dëshirën e vet, atëherë në polici ka mbërritur informacioni se ajo mund të jetë rrëmbyer për trafik me qëllim prostitucioni. Në këto kushte, ata kanë organizuar një operacion për kapjen e autorit të ngjarjes. Gjatë hetimit ka rezultuar se ai kishte bashkëpunuar edhe me persona të tjerë. Dje, specialistët e seksionit të antitrafikut, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Tiranë, bazuar në procedimin penal nr. 1117, finalizuan operacionin e koduar “Mysafiri”, ku u arrestuan në flagrancë katër persona. Sipas të dhënave, në pranga përfunduan Gentian Nikë Prenga, 27 vjeç, Artur Nikoll Përndokaj, 44 vjeç, Albert Fiqiri Stafa, 27 vjeç, dhe Fjordi Hamdi Avdiu, 24 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, Këta persona akuzohen për rrëmbim, përdhunim, mbajtje peng dhe shfrytëzim në rrethana rënduese për prostitucion ndaj 17-vjeçares.

Hetimet

Burimet nga grupi hetimor shpjeguan se ajo është mbajtur me dhunë në ambientet e hotel “Vito” të ndodhur në Autostradën Tiranë-Durrës, si dhe në disa hotele të tjera në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete, shuma e parave prej 15 mijë lekësh, 20 celularë, 5 prezervativë dhe 7 karta banke. Në lidhje me kartat, policia tha se po kontrollohen llogaritë e tyre dhe do të konfiskohen nga Zyra e Hetimit të Pasurive, pasi dyshohet se i kanë vendosur këto para nga veprimtaria kriminale. Policia tha gjithashtu se Fjordi Avdiu akuzohet për veprën penale të “mbajtjes së lokaleve për prostitucion”. Policia tha se grupi i kapur dyshohet edhe për trafikimin e katër femrave të tjera, fat që mendohet të kishte edhe adoleshentja e shpëtuar prej tyre. Tashmë, ajo po trajtohet me psikologë dhe dëshmia e saj do të jetë vendimtare për të burgosur agresorët dhe tutorët. Ata e mbanin të lidhur vajzën dhe sa herë kishin mysafirë që kërkonin femra për të kryer marrëdhënie seksuale, kundrejt shumave të larta të parave, shfrytëzonin vajzën e re.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›