E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eurivizion, Malta "ankesa" për Shqipërinë

24/05/2005  Ka momente kur të tjerët të tregojnë se kush je, apo se ç'duhet të bësh, e thënë ndryshe në shqip "Hajde baba të tregoj arat...". Kështu ndodh me një farë Steve Borg të "Marsascala", një promovues i muzikës në Maltë, i cili duke folur mbi debatin e hapur në lidhje me televotimet e këngëve të Eurovizionit, se fqinjët votojnë fqinjët, ka shprehur bindjen e tij se kënga e Maltës interpretuar nga Chiara, duhet të ishte fituesja. Ai është shprehur se votimi ishte politik më shumë se kurrë, pavarësisht se vendet pjesëmarrëse u përpoqën të tregojnë një lloj modestie. I pyetur nga mediat në lidhje më këngën fituese Borg është përgjigjur se gjeopolitika e këngëtares greke i erdhi shumë në ndihmë. Fakti që këngëtarja Elena Paparizu ka lindur në Suedi, e ndihmoi të merrte 12 pikët suedeze. Madje ai ka shprehur pakënaqësinë e habinë edhe në lidhje me Shqipërinë, e cila i dha 12 pikët e saj Greqisë, "ndërkohë që historikisht marrëdhëniet midis dy vendeve nuk kanë qenë miqësore". E kësaj nuk ke ç't'i thuash! Borg ka shprehur pakënaqësinë edhe ndaj vendeve të tjera, si Andora etj, të cilat nuk votuan Maltën, ndërkohë që janë vende të vogla si Malta! Borg, harron të shtojë se pavarësisht zërit shumë të bukur të Chiaras dhe interpretimit shumë të bukur të saj, kënga malteze të kujtonte shumë Celine Dion...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›