Rikonstruktohet blloku midis “Mine Peza” e “Haxhi Dalliu”
24/05/2005 Përfunduan dje punimet për sistemimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës në bllokun “Mine Peza” - “Haxhi Dalliu”, si pjesë e ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës brenda blloqeve të banimit. Gjatë inaugurimit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u shpreh se ”hehabilitimi i këtij blloku është një tjetër lajm i mirë për qytetin, sepse bëhet fjalë jo thjeshtë për asfalt, por për premisat e një jete të re dhe me tjetër cilësi në komunitet. Natyrisht mbetet tani edhe rehabilitimi i sipërfaqeve të gjelbërta, të cilat në bashkëpunim me komunitetin dhe falë taksës së gjelbër, ne do të fillojmë t’i kthejmë në hapësira ku më të moshuarit dhe fëmijët do të kenë mundësi të kalojnë pasditet apo paraditet e pushimeve”. Rruga “Haxhi Dalliu“, e cila është rikonstruktuar me të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, ka qenë mjaft e dëmtuar. Rruga ka trase të mirë, por mungesa e mirëmbajtjes ka bërë që kjo të dëmtohej nga reshjet në periudhën e lagësht si dhe zgjerimi i pronave private me mure dhe ndërtime të reja. Është rehabilituar rrjeti ekzistues i kanalizimeve, i cili ishte i pamjaftueshëm për shkarkimin e ujërave të zeza të zonës së banuar si dhe rrjeti i ujësjellësit, i cili ishte i amortizuar plotësisht, çka është bërë shkak për prishjen e strukturës së rrugës. Pjesë e rëndësishme e rrugës është edhe ndriçimi rrugor, rrjeti i të cilit është ndërtuar i ri dhe ndriçimi i lartë me shtylla metalike.