E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjon Mili, fotografi i Pikasos, duke vizatuar me dritën

24/05/2005  “Kur unë pyeta se si mund ta takoja Pablo Pikason, kushdo që e njihte jepte një përgjigje 'shko në plazh'. Rrugës për në Rivierë kalova një natë në Paris me nipin e Pikasos, Javier Vilato, një piktor i ri. Diçka më përmendi e që më tingëllon gjithmonë. 'Xhaxhai thoshte se, në qoftë se doni ta vizatoni, ju duhet të mbyllni sytë tuaj dhe të këndoni'. Konkludova, pse të mos e fotografoj në errësirë, duke vizatuar me një dritë në vend të lapsit?

Ulur afër plazhit, ku Pikaso lahej çdo ditë, vëzhgova atë së largu gjithë mëngjesin. Ditën tjetër, kur ai po bëhej gati të linte plazhin, u ndodha përballë tij (koha nuk pret, thashë).

-Më falni, jam fotograf, do të doja të bëja portretin tuaj.

Oh! Vazhdoni, - u përgjegj ai me ngërdheshje. Jo, seriozisht, seriozisht.

Në këtë pikë, unë vura përpara një fotografi të marrë në errësirë, që tregonte një patinator në lëvizje, me një dritëz të bashkuar të patinave. Pikaso reagoi menjëherë dhe i nxitur nga kjo filloi të vizatojë në ajër me gisht”. Ky është kujtimi i shkruar i Gjon Milit, i cili arriti të mposhte kokëfortësinë e Pikasos përballë aparatit të tij fotografik. Një njohje e veçantë, që më pas do të kthehej në një miqësi me piktorin e shquar Pablo Pikaso. Mili i bëri disa foto artistit në Valori të Francës Jugore, ku ai “vizaton në ajër me dritë”. Kjo foto hyri në historinë e artit pamor, duke u komentuar pambarim si një ikonë ekzemplar të shfrytëzimit tekniko-artistik të dritës me një fantazi pothuaj hyjnore.

Fotografia është bërë brenda poçerisë Madura në Vallori të Francës Jugore. Studiuesi Qerim Vrioni, në botimin e tij “Fotografia - një grusht diell”, argumenton praktikisht teknikën e kësaj fotoje.

Ajo është e studiuar mirë, pra jo e aty për atyshme, dhe e bërë me dy shpejtësi drite.

Piktori ka vizatuar në ajër me një llambushkë, një centaur, veprim i bërë në errësirë të plotë (dritaret mbyllur mirë) me obturatorin e aparatit të hapur, gjithmonë me kohëzgjatje sa vazhdonte të pikturuarit. Pastaj pa lëvizur aparati dhe pa xhiruar bobina e filmit është mbyllur obturatori, është ndriçuar mjedisi (hapur dritarja në të djathtë të figurës) dhe me kohëzgjatje tepër të shkurtër, është bërë ngrirja në të njëjtin kuadër filmi (pozë) edhe e personit me mjedisin. Nga kjo ndërthurje e fantazisë artistike dhe e teknikës së fotografit, doli fotoja shumë e njohur me titullin e thjeshtë “Pikaso”, e riprodhuar vazhdimisht në albume nga e gjithë bota. Madje, në librin “La tecnica fotografica”, termi “flash shumëfish” shpjegohet në fjalor, duke marrë si shembull metodën e “vizatimit në dritë” të Gjon Milit.

Duke u parë me vëmendje fotografia, vihet re dhe pozicioni tejet kalimtar i qëndrimit të piktorit. “Syri është fiksuar në një gjendje shpërthyese, në përputhje me mjedisin shumë heterogjen e sidomos me figurën e centaurit”, komenton Vrioni.

Kjo fotografi e Pikasos, duke vizatuar centaurin, i cili në mitologjinë e lashtë greke ishte një përbindësh gjysmë-njeri, (gjoksi e koka) dhe gjysmë kalë (trupi dhe 4 këmbët), që simbolizonte pasionet e egra dhe të papërmbajtura, është bërë afërsisht në të njëjtën kohë kur një pëllumb i bardhë i pikturuar nga ai, ishte kthyer në “pëllumbin e paqes” si simbol i propagandës kundër luftës që zhvillonin forcat e majta në Evropë, të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik.

“Natyra e dy artistëve, Pikaso e Mili, ishin pothuaj të kundërta dhe zgjedhja nga piktori për t’u fotografuar me centaurin, duhet t’i ketë pëlqyer shumë mjeshtrit të aparatit”, thotë Vrioni. Pikaso jepet i “mbërthyer” në lëvizje, por dhe centauri nuk është “ngrirë” në prehje. Këmba e parë e majtë e ngritur nga toka, flet për ecje apo fillim goditjeje. Sipas Vrionit, nëse fotoja do shihej në kuadër filmi kinematografik lehtë mund të imagjinoheshin sekuencat paraardhëse dhe pasardhëse.

Siç është përmendur më sipër, drita në foto është natyrore. Ajo futet në mjedis nga një dritare që nuk duket në të djathtë të personazhit dhe, ndonëse nuk është e drejtpërdrejtë nga dielli, ajo jep një ndriçim me kontraste dhe hije të forta.

“Të mos harrojmë se jemi një vend mesdhetar e në një stinë të nxehtë. Ky ndriçim me efektet e tija bën që në foto të dallohet vetëm gjysma e djathtë e trupit të piktorit, fytyra, krahu dhe këmba. Syri është fiksuar në një çast që e bën atë të flasë më tepër se shumë elementë të fotografisë. Figura e centaurit mbase nuk është zgjedhur rastësisht nga piktori, ose edhe nga vetë fotografi. E gjithë fotografia si për të fokusuar jetën e piktorit me kthesa, përplasje, andrralla në marrëdhënie me të tjerët, familjarë apo kolegë, është mjaft e shqetësuar si nga ana grafike, e po ashtu edhe tonale”, komenton autori i librit, Qerim Vrioni. Fotoja e mësipërme e Gjon Milit, botohet me tituj të ndryshëm si “Pikaso”, “Pikaso duke vizatuar me dritë, “Pikaso duke vizatuar centaurin”, “Pikaso i famshëm duke vizatuar me dritë” etj. Kjo foto po zë përherë e më shumë vend në albumet me fotografi të zgjedhura nga gjithë Bota.

Vrioni, fotografia një grusht diell

Një tufë shkrimesh studimore për fotografinë, duke na bindur se mund të gjejmë vetë përgjigjen. Ky është thelbi i botimit të Qerim Vrionit “Fotografia - një grusht diell”, botimet “Logoreci”. Pa ndonjë titull tërheqës, në këtë punë kërkimore mbi një copës të historisë së fotografisë shqiptare, e veçanërisht mbi autorët e saj, Vrioni gjen mënyrat më komerciale, duke na servirur disa intimitete të pabëra shumë publike. Faktet historike a dokumentare që vijojnë si tregime të rrjedhshme, përkojnë me karakterin e materialit të trajtuar në këtë botim. Është një punë përzgjedhësi me informacion të pasur, thuhet në parathënien e botimit, ku gjendet dhe interpretimi psikologjik jo vetëm i objektit të fotografuar, por edhe i subjektit, pra i fotografit, i cili nuk na shfaqet si fiksues i rëndomtë. Dinastia e Marubëve, fama e fotografit Gjon Mili, duke u ndalur sidomos te ky njeri i pazbuluar fort në fotografinë tonë, apo shëtitja nëpër botën e fotografëve të famshëm në Botë, përbëjnë për studiuesin Vrioni dhe një dimension shpirtëror.

“...autori i librit është ndër njohësit më të mirë të fotografisë artistike në botën shqiptare. Analizat e tij estetike për një sërë fotografish të Marubëve dhe të Gjon Milit, na lirojnë nga antkhi gati shekullor i mungesës së kritikës së mirëfilltë të fotografisë artistike shqiptare”, shkruan artisti fotograf nga Prishtina, Fahredin Spahija.

Duke qenë njëkohësisht dhe risk, në këtë lloj studimi, risk komercial, Vrioni, ndoshta krijon me këtë vepër një linjë të re studimore për fotografinë, e palëvruar shumë në vendin tonë. Mungesa e gjykimit estetik dhe emocional drejt zonës artistike të fotografisë, ndoshta ka lënë pas dhe zhvillimin e kësaj gjinie, për pasojë dhe mosevidentimin, ashtu sikurse artet e tjera pamore.

Fotografi i njohur francez Kartje Breson në vitin 1980 ka shkruar për Milin: “Shoqërimi i ngushtë me Milin për mua paraqet këndelljen e shpirtit dhe fisnikërimin e mendjes. Madhështia e Milit buron nga personaliteti i tij kompleks, i përmbushur me urtësi filozofike dhe me pasion për përsosmëri... Studioja e tij për një numër të madh prej nesh, ka qenë Athina e Nju-Jorkut”.

David Douglas Dunkan i revistës “Time-Life” ka thënë: “Episodi me Pikason tregon inteligjencën e veçantë të Milit. Ai zbuloi plotësisht për publikun 'Pikason tridimensional'. Të dy, Mili dhe Pikaso, mbetën miq të mirë për gjithë jetën”.

Në albumin e shtëpisë botuese “Phaidon” të Londrës, me titull “The photo Book”, është botuar edhe fotografia e Gjon Milit, me titull “Pikaso duke vizatuar me dritën”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›