E Hënë, 2 Nëntor 2026

Millenium, nga triller dhe horror, në komedi

24/05/2005  Sezoni i verës po afron dhe kjo shënon një fazë pushimesh për shumë institucione të artit dhe kulturës (për fat të keq). Ndërkohë, një institucion tjetër (por ky privat), kinema "Millenium", mbetet "miku" i vetëm i shumë banorëve kryeqytetas, të cilët i kanë pushimet e kufizura apo edhe që, ndoshta nuk shkojnë dot. Edhe pse pak kohë më parë menaxherët e "Millenium“-it kishin deklaruar se filmi i shumë çmimeve "Oscar", "Million dollar baby", do të shfaqej në Tiranë, e më pas në të gjithë vendin, pati një vonesë, e cila nuk u shpjegua. E vetmja arsye që mund të sjellë dikush ndërmend, është strategjia. Filmi në fjalë, dihet se do të sjellë shumë spektatorë në sallat e kinemave, pra në rast se kjo "kartë" do të konsumohej në kohën e parashikuar, sezoni i verës që po troket, ndoshta, do të kishte probleme. Përveç "Million dollar baby", gjatë sezonit të verës kryeqytetasit kanë mundësinë të ndjekin edhe filma të tjerë, pothuajse në të njëjtat parametra. Duke parë axhendën e filmave, të bien në sy jo vetëm emrat e njohur të plejadës hollivudiane, por edhe tematika e tyre. Clint Eastwood, Hilary Swank, Morgan Freeman, Nicole Kidman, Sean Penn, Sandra Bullock dhe Keanu Reeves, janë disa prej yjeve hollivudianë që do të mund të shohim në sallat tona të kinemave. Por nga ana tjetër, edhe tematika e tyre varion nga aksioni, në triller, horror, e deri në komedi.

"Million dollar baby"

Filmi që i dha të dytin çmim "Oscar" si Eastwood, ashtu edhe Swank, është një film, i cili trajton një rast special, ku Maggie Fitzgerald (Swank), një grua 31-vjeçare, dëshiron të bëhet një boksiere profesioniste. Por që të arrijë këtë qëllim, ajo kërkon ndihmën e Frankie Dunn (Eastwood), duke shpresuar që ai të jetë trajneri i saj. Por përgjigjja që merr është negative: ai nuk merret me vajza... Por këmbëngulja e Maggie-it jep frutet e veta, edhe pse në rrugë të tërthortë. Ajo fiton simpatinë e Edi Dupris (Freeman), një mik i vjetër i Frankie-it. Pas një dështimi të tij me një boksier profesionist të peshave të rënda, pas të cilit Frankie humbet punën si trajner, pas këmbënguljes edhe të Edit, ai vendos të stërvis Maggie-in, e cila shumë shpejt nën drejtimin e tij do ta gjejë veten drejt rrugës së kampiones. Një film dramatik, por i gërshetuar edhe me situata humori, e natyrisht me shumë mesazhe njerëzore në vetvete.

"The Interpreter"

Ndoshta në shqip mund të titullohej edhe "Përkthyesi", por gjithsesi kemi të bëjmë me një film aksioni-triller, ku bien në sy jo vetëm emrat e yjeve hollivudianë si Nicole Kidman dhe Sean Penn, por edhe emri i një regjisori të madh, gjithashtu, ai i Sydney Pollack. "The Interpreter" mund të konsiderohet edhe si një triller politik, pavarësisht se si ngjarjet, ashtu dhe vendi ku ato zhvillohen, i përkasin fantazisë, por që gjithsesi të sjellin në mend shumë vende dhe ngjarje që ndodhën në vitet e fundit në kontinentin afrikan. Silvia Broome (Kidman) ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së saj si anëtare e një komuniteti të bardhë në shtetin e Matobo. Që në moshë të vogël ajo humbet nënën, babain dhe motrën e vet, kur makina në të cilën ata udhëtonin kaloi mbi një minë. Më pas, ajo u bë një përkthyese e Kombeve të Bashkuara. Pavarësisht se ajo fajëson Edmond Zuwanie (Earl Cameron), presidentin e Matobos, si përgjegjës për vrasjen e familjes së saj, ku dëgjon rastësisht se dikush po përpiqet të organizojë vrasjen e tij, reagon. Ky fakt e bën atë një target të lëvizshëm...

"The ring 2"

Kaseta vrasëse kthehet sërish në ekran, me vazhdimin në filmin "The ring 2" (Unaza). Një film i vërtetë horror, ku prindërit nuk duhet në asnjë mënyrë të marrin fëmijët me vete. Pas suksesit që pati pjesa e pare, producentët realizuan vazhdimin e tij, por këtë herë kaseta vrasëse ia lë vendin personazheve të saj të ushtrojnë "terror" psikologjik, por edhe dhunë. Filmi mban vulën e regjisorit japonez Hideo Nakata, i cili është edhe regjisori i variantit të parë, të xhiruar në Japoni. Naomi Watts, Simon Baker, David Dorfman, Elizabeth Perkins, Gary Cole, Sissy Spacek, janë disa nga aktorët që luajnë në këtë film, që pa dyshim, për të gjithë të apasionuarit ndaj zhanrit do të jetë një kënaqësi e vërtetë.

"Miss Congeniality 2"

Përsëri një numër dy, por këtë herë në një zhanër krejt të kundërt nga ai që folëm pak më lart. Eshtë një komedi, e cila mban emrin e bukuroshes Sandra Bullock. Vazhdimi i aventurave të agjentes së FBI-së, e cila nga një vajzë e "pagdhendur" arriti të bëhet një nga kandidatet kryesore për "Miss America", por njëkohësisht edhe ëngjëlli mbrojtës i dhjetëra vajzave konkurruese nga një sulm vdekjeprurës. Tashmë, e pajisur me elegancë profesionle, bukurinë e saj, por njëlloj asgjësuese si një agjente e vërtetë, Bullock kridhet në aventura të reja, gjithmonë në mbrojtje të bukurosheve të tjera që rrezikohen nga sulmet e maniakëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›