Kredia për pushime, kushtet dhe interesat
Një nga produktet që ofrohen nga ana e bankave të nivelit të dytë për klientët, është kredia për pushime. Kjo kredi mbetet një alternativë për të gjithë ata që nuk kërkojnë të shpenzojmë kursimet për pushime, apo që kërkojnë një formë të re financimi.
Kredia për pushime jepet thuajse në të njëjtat kushte me kredinë konsumatore, ndërsa financimi i saj shkon deri në 20 mijë dollarë për raste të veçanta, përkundrejt edhe garancive pasurore. Për këtë kredi, kërkohet garanci pasurore kur shuma e kërkuar nga ana e klientit të bankës kap nivele të larta. Periudha e maturimit për këtë kredi është afatmesme, duke u shtrirë në një periudhë kohore prej 3 vitesh.
Për shuma kredish që janë në nivele të ulëta, pra në disa mijëra euro, klienti mund të lërë si garanci edhe pajisje të ndryshme, ndërsa bankat edhe për kredi kërkojnë një dorëzanës për të dalë garant në kthimin e kredisë. Por bankat ofrojnë mundësi të ndryshme midis kontratave që janë individuale për klientët edhe në raste kur ato nuk kanë garanci pasurore.
Interesat që vendos banka për këtë kredi, mund të jenë të luhatshme ose fikse. Zakonisht bankat vendosin një interes për riskun e kredisë dhe këtë ja shtojnë interesat të bonove të thesarit, ose të Euroliborit për kredinë në euro.
Për të përfituar këtë kredi, klientit i duhet që të ketë një shumë të vërtetuar të ardhurash mujore, që është të paktën sa trefishi i këstit që caktohet nga ana e bankës. Kur për kredinë është vendosur edhe hipotekë, ndërsa përcaktohen të gjitha kushtet e të ardhurave dhe dorëzanisë, interesat paraqiten më të favorshëm.
Si për të gjitha llojet e kredive, klientit i kërkohet nga ana e bankës, dokumentacioni që vërteton të ardhurat nga puna, nga bizneset, pronat e paluajtshme dhe qiratë që ai mund të ketë. Njëkohësit, bankat e nivelit të dytë ndër dokumentet që kërkojnë për pranimin e këtij financimi kërkojnë edhe gjendjen gjyqësore.
Kreditimi nga ana e bankave edhe për këtë lloj kredie preferohet që të jepet në lekë, pasi një pjesë e mirë e klientëve që kërkojnë kredi pranë tyre i kanë të ardhurat në monedhën vendase. Por specialistët e kreditit në bankat e nivelit të dytë bëjnë të ditur se kredia në valutë dhe veçanërisht ajo në euro mbetet më e preferuara nga ana e bankave të nivelit të dytë.
Monedha evropiane ka vazhduar që të zhvlerësohet kundrejt lekut edhe gjatë vitit 2007, si edhe gjatë pjesës së parë të këtij viti, duke e bërë kredinë në euro të leverdishëm për të gjithë ata klientë të bankave që të ardhurat e tyre i kanë në lekë.