E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2012, Holandae Spanja "shkelin" mekëmbë rivalët

TIRANE-Spanja dhe Holanda, dy skuadrat finaliste të Botërorit 2010, kanë treguar edhe dje supremacinë e tyre, duke fituar ndeshjet respektive në eliminatoret e Euro 2012. Skuadra e Vicente del Boskes mposhti 3-1 Lituaninë në Vilnius, në një ndeshje që edhe këtë herë u vendos nga talentet e shumta që kanë në përbërje kampionët e botës. Ksavi Hernandez shënoi golin e parë në minutën e 19-të, duke krijuar idenë e një fitoreje pa probleme. Por, 12 minuta nga starti i pjesës së dytë, Stankevicius barazoi shifrat, duke vështirësuar disi gjërat për "demat". E megjithatë, autogoli i Kijanskas dhe goli i shënuar nga Huan Mata, i dhanë fund "etheve" për skuadrën spanjolle, që merr fitoren e pestë radhazi në grup. Iberikët kanë tashmë 15 pikë, duke treguar se kualifikimi për në Europian do të jetë thjesht një formalitet. Në takimin tjetër të këtij grupi, Republika Çeke mposhti 2-0 Lihtenshtejnin, duke treguar edhe këtë herë se ka probleme për të gjetur golin. Megjithatë, skuadra çeke u ngjit në vendin e dytë, me 9 pikë.
Grupi E
Në grupin E, takimi më spektakolar ka qenë ai mes Holandës dhe Hungarisë, i zhvilluar në Amsterdam. Sidomos pjesa e dytë, ka dhuruar emocione të shumta dhe gola, me tulipanët që thuajse e kanë siguruar kualifikimin, pas fitores në shifrat 5-3. Robin Van Persi shënoi golin e avantazhit në minutën e 13-të, ndërsa në pjesën e dytë, "magjiarët" shokuan "Amsterdam Arenën", me dy gola të shpejtë të Rudolf dhe Zoltan Gerës. Bert Van Marvijk zgjoi nga gjumi skuadrën e tij dhe menjëherë, Shnajder e Van Nistelroi, rikthyen në avantazh tulipanët. Çerek ore para fundit, Gera barazoi sërish, por Holanda nuk mund të ndalej në minutat e mbetura dhe Dirk Kajt shënoi një dopietë, që mbylli sfidën. Në takimin tjetër të këtij grupi, Suedia mori vendin e dytë me 9 pikë, pas fitores 2-1 ndaj modestëve të Moldavisë. Mikael Lustig i dha skuadrës skandinave avantazhin në minutën e 30-të, por vendasit nuk qëndruan për asnjë moment të qetë derisa Sebastian Larson shënoi golin e dytë, pas një asisti të Zllatan Ibrahimoviç. Ky i fundit pati humbur një penallti në minutën e 43-të. Portieri Stanislav Namasco ishte heroi i Moldavisë, që mund të kishte pësuar më shumë gola në Stokholm.
Turqia
Një gol në secilën pjesë nga Arda Turan dhe Gokhan Gonul i dhanë fitoren 2-0 Turqisë, në sfidën përballë Austrisë për grupin A. Triumfi e ngjiti në vendin e tretë, në kuotën e 9 pikëve skuadrën e Gus Hidink, e cila ka 1 pikë më pak se Belgjika, por një ndeshje më shumë për të luajtur. Përsa i përket ndeshjes, ajo dhuroi raste të shumta nga të dy krahët. Por, në minutën e 27-të Arda Turan arriti të shënonte, duke goditur në cepin e djathtë të portës austriake nga një distancë e afërt. Ndërkohë goli i dytë mban firmën e Gonul, goditja e të cilit 21 minuta para fundit, u prek edhe nga Semih Senturk, pushoi në rrjetë. Austria gjithsesi humbi disa mundësi të mira me Majerhofer dhe Edvin Hofer. Në këtë grup, Belgjika mundi 4-1 Azerbajxhanin.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›