E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2012 elefanti ka parashikuar fitoren e Polonise ndaj Rusise

Është fuqimisht në modë që kafshët të përzgjidhen si fatthënëse, natyrisht fjalën e kemi për ndeshjet e futbollit. Oktapodi dhe lopa i kanë bërë më parë parashikimet e tyre, ndërsa këtë herë si orakull na jepet ky elefant i kopshtit zoologjik të Krakovit, që e ka emrin Çita.
Elefanti parashikoi fitoren e Polonisë ndaj Rusisë në ndeshjen e dytë të grupit A në Euro 2012, ndërsa e kishte kaluar më parë një provë të fortë përderisa u përzgjodh që të bënte rolin e orakullit.
Pavarësisht se Çita nuk ka parë kurrë një ndeshje futbolli, ose edhe nëse ka qenë para televizorit nuk ka kuptuar asgjë, sërish njerëzit në Krakov dhe Poloni besojnë se ajo i ka rënë pikës. Natyrisht, rusët duhet të mendojnë ndryshe.
Gjithsesi, për kafshën e madhe afrikane rëndësi ka të përzgjidhte mollët që duhej të hante dhe siç duket ato që ishin vënë tek flamuri polak ishin me erë më të mirë, ose pamje më të bukur.
Veterineri Jerzi Pirog, njeriu që kujdeset për Çitën në kopsht, thotë se “ne provuam parashikim edhe në Ligën e Kampionëve dhe e bëmë me 3 kafshë, me elefantin Çita, me një papagall afrikan dhe me një gomar dhe vetëm Çita parashikoi fitoren e Çelsit, të shohim si do të dalë këtë herë”.
Kafsha madhështore duket shumë me besim në vetvete dhe nuk ka aspak frikë nga fitorja e shkëlqyer ruse 4-1 ndaj Çekisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›