E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova ne euro 2012

Kroacia po vazhdon ta mbështesë në të gjitha mënyrat njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe metodat e përdorura janë nga më të ndryshmet por edhe më origjinalet.
Fushata pro shtetit më të ri të Europës është mbështetur edhe nga tifozët e përfaqësueses kroate të futbollit, të cilët kanë udhëtuar në numër të madh drejt Polonisë dhe Ukrainës, ku po zhvillohet Euro 2012.
Është pikërisht falë tyre që edhe Kosova mund të “mburret” se në një farë mënyre është bërë pjesë e aktivitetit më prestigjioz në “Kontinentin e Vjetër”. Përveçse janë vënë në mbështetje të skuadrës së drejtuar nga Biliç, tifozët kroatë po e shfrytëzojnë Kampionatin Europian për ti bërë thirrje UEFA-s që ta pranojë Kosovën si anëtare të saj me të drejta të plota.
Në mediat kroate po qarkullon një fotografi shumë e veçantë, me një tifoz kroat që gjatë qëndrimit në Poloni, përpara sfidës së parë të Kroacisë në Grupin C me Republikën e Irlandës, mban në dorë një top në të cilin shkruhet: “Pranojeni Kosovën në UEFA”.
UEFA dhe mbi të gjitha presidenti I këtij institucioni, Mishel Platini vazhdon të jetë kundër pranimit të Kosovës në familjen e futbollit europian, për aq kohë sa vendi nuk është anëtar i OKB-së, e madje ish-legjenda franceze është shprehur kundër FIFA-s që lejoi zhvillimin e miqësoreve ndërkombëtare të përfaqësueses dhe klubeve kosovare të futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›