E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro 2012 te vret

 Një 26-vjeçar ka humbur jetën në Çangsha, në provincën qendrore të Hunanit në Kinë, pasi i kishte kaluar 11 netët e fundit pa gjumë, duke ndjekur ndeshjet e Kampionatit Europian të futbollit.

Më 19 qershor, i riu që sipas familjarëve dhe miqve gëzonte shëndet të plotë, kishte parë në një lokal ndeshjen ndërmjet Italisë dhe Republikës së Irlandës. Gjatë momenteve që ndiqte takimin e Grupit C, ai kishte konsumuar sasi të konsiderueshme birre dhe më pas, në orët e para të mëngjesit ishte kthyer në shtëpi.

Pavarësisht ndryshimit të orarit të Europës me Kinën dhe faktit se ndeshjet e orës 20.45 në “Kontinentin e Vjetër” përkojnë me orën 02:45 të mëngjesit në shtetin aziatik, i riu kishte ditë që vepronte në të njëjtën mënyrë. Ai qëndronte pothuajse gjatë gjithë natës zgjuar, duke shijuar përballjet e Euro 2012 dhe gjatë kësaj kohe konsumonte alkool.

Por, 19 qershori rezultoi një ditë fatale për 26-vjeçarin, që ra për të fjetur dhe nuk u zgjua më. Nëna e tij tentoi ta zgjonte për të ngrënë diçka, megjithatë i riu ishte i vdekur në krevat.

Sipas mjekëve, ndarja e tij nga jeta ka ndodhur për shkak të mënyrës së jetesës stresuese dhe aspak të shëndetshme. Duket se kishte më tepër se dhjetë ditë, që i riu, i cili ishte tifoz me Anglinë, nuk flinte pothuajse gjatë gjithë natës, vetëm për të mos humbur asnjë prej përballjeve të Europianit.

Teprimi me alkoolin dhe me sa duket një dush i nxehtë në mbremjen e ndarjes nga jeta, i bërë sapo ishte kthyer në shtëpi pasi kishte pirë, duket se kanë bërë pjesën e tyre në këtë ngjarje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›