E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo drejt majes

Është apo nuk është më i mirë se Lionel Mesi, kjo nuk duhet të rëndojë aspak në këtë diskutim. Kristiano Ronaldo shpesh tundohet nga ky krahasim, por ai duhet të kujtojë shkrimet që quhen të shenjta dhe që thonë se “rrugët e Zotit janë të shumta”. Pra, ai mund të ecë në rrugën e tij, madje siç i pëlqen, të vrapojë dhe tepër shpejt.
Shtatë vjet pas vdekjes së babait dhe 2 vjet pas lindjes së fëmijës së tij të parë, superylli portugez duket në kulmin e formës. Në të vërtetë, jo vetëm duket. Ai është.
Shkencëtarët e futbollit dhe ata të sportit në përgjithësi thonë se një lojtar arrin pjekurinë maksimale në moshën 27-28 vjeçare. Ronaldo është pikërisht 27 vjeç e 4 muaj dhe Portugalia po nis të shijojë atë që ka dy sezone që e provon Reali i Madridit.
Pra, një lojtar që dominon ndeshjet, tërheq skuadrën përpara, shënon gola dhe jep asistë. Pak a shumë si Mishel Platini kur ishte 28 vjeç dhe kaloi tek Juventusi.
Vështirësitë që ka kaluar në jetë dhe karrierë kanë qenë të shumta. Babai i tij vdiq më 2005, kur ai ishte vetëm 20 vjeç dhe vdekja erdhi nga teprimi me alkoolin. Kjo fantazmë e ka ndjekur pas edhe Kristianon, i cili ka gjetur forcën për të mos pirë aspak.
Por, sot është ndryshe. Deri tani, ai është lojtari më i mirë i kampionatit europian në Ukrainë e Poloni. Pa asnjë dyshim.
Jo vetëm sepse ka shënuar 3 gola, por edhe sepse ka shkëlqyer. Nisja në Euro 2012 nuk ishte e lehtë. Ndaj Gjermanisë nuk pati hapësira, i bllokuar nga Zherom Boateng, ndërsa ndaj Danimarkës humbi raste të shkëlqyer dhe skuadra shpëtoi nga heronj të tjerë.
Por, përballë Holandës ai shënoi dy gola duke nisur kthesën e madhe dhe duke qenë në të njëjtën lartësi edhe ndaj Republikës Çeke. Një gol, dy shtylla, gjuajtje të shumta dhe presion i vazhdueshëm ndaj mbrojtjes kundërshtare.
Një njeri që thuajse krijon një skuadër, duke shfrytëzuar, jo vetëm talentin dhe ambicien, por edhe faktin se ai është lojtari më i kompletuar fizikisht në botë, tepër i fortë dhe frikshmërisht i shpejtë.
Vetëm 27 vjeç dhe ai ka 94 ndeshje me përfaqësuesen dhe gjithashtu 35 gola, duke qenë vetëm 6 gola nga mitiku Eusebio dhe 12 gola nga rekordmeni Pauleta.
Gjysmëfinalja e 27 qershorit duket larg dhe më parë Portugalia duhet të mësojë kundërshtarin, veçse me një ambicie të jashtëzakonshme si ajo e Kristiano Ronaldos nuk është pa shanse për finalen dhe për titullin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›