E Diel, 1 Nëntor 2026

Euro çmendet, bankat, bizneset dhe konsumatorët në vështirësi

Euro vazhdon revanshin. Dje një euro është tregtuar me 143 lekë në agjencitë e këmbimit valutor. Ndërsa kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë ka raportuar për një euro që tregtohej me 142, 7 lekë. Ndërsa ekspertët e ekonomisë kishin paralajmëruar për një situatë të përkohshme të dominimit të monedhës europiane në këto vlera rekord të viteve të fundit, monedha euro vazhdon revanshin në kuota gjithmonë e më të larta. Ata që pësojnë efektet e euros në këto nivele janë bankat, bizneset dhe konsumatorët. Konsumatorët që paguajnë shërbime në euro rezulton të paguajnë disa fish më shumë, sidomos kreditë të marra në euro. Që nga janari deri më sot një klient banke paguan këstin e kredisë 2000- 6000 lekë më shumë se në periudhën kur euro kushtonte 136 lekë. Gjithashtu edhe bizneset, të cilat paguajnë qiranë në euro, paguajnë disa fish më shumë me luhatjen e kursit të këmbimit. Por edhe çmimet e larta të produkteve industriale, apo edhe fruta-perimeve të importit, vijnë si rezultat i euros me çmim të lartë. Ekspertët mendojnë se situata është e përkohshme, pasi është momenti kur kompanitë e huaja transferojnë të ardhurat e tyre jashtë kufijve, gjithashtu edhe reflektimi i tregut ndërkombëtar, megjithatë konsumatorët shqiptarë janë ata që gjenden në vështirësi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›