Modalitetet e qeverisjes vendore, konferencë në UET
Fakulteti Juridik i Universitetit Europian të Tiranës, ditën e shtunë, më datë 30 prill organizoi Konferencën Shkencore Kombëtare me temë “Qeverisja vendore në Shqipëri: realitete, sfidat dhe e ardhmja në kuadër të proceseve integruese të vendit”. Në këtë konferencë, që përkoi edhe me periudhën e zgjedhjeve lokale në vend, u diskutua roli i qeverisjes vendore në kuadër të parimit të decentralizimit të pushtetit dhe funksionet e njësive të qeverisjes vendore në shërbim të komunitetit.
“Vendi më i lumtur është ai ku ndihet sa më pak dora e qeverisë”, kështu e mbylli fjalën e saj dr. Migena Leskoviku, dekane e Fakultetit Juridik të Universitetit Europian të Tiranës, duke cituar një prej postulateve të rilindësit kombëtar Sami Frashëri, marrë nga libri “Shqipëria ç’ka qenë ç’është dhe ç’do të bëhet”.
Pikërisht në një kohë kur kryefjala dhe tema e ditës për të gjithë shqiptarët janë zgjedhjet vendore në vend dhe cila forcë politike do i fitojë ato, Universiteti Europian i Tiranës e mendoi si momentin më të volitshëm për të organizuar brenda mjediseve të tij konferencën kombëtare, duke e sjellë në rrafshin e analizave shkencore realitetin e qeverisjes vendore në Shqipëri, sfidat me të cilat përballet, si edhe e ardhmja e qeverisjes vendore në kuadër të proceseve integruese të vendit.
“Kjo konferencë kishte një tematikë aktuale, pasi përkoi edhe me zgjedhjet për pushtetin vendor, gjë që rrit edhe interesin e pjesëmarrësve dhe referuesve, qofshin këta studentë, pedagogë dhe të ftuar të ndryshëm, që nuk munguan në këtë aktivitet”, tregon dr. Migena Leskoviku.
Bashkëpunimi i qeverisjes vendore me qeverisjen qendrore dhe institucione të tjera si garanci për mirëqeverisjen në dobi të komunitetit e në funksion të zhvillimit rajonal, pjesëmarrja gjinore në qeverisjen vendore; marrëdhëniet e njësive vendore me publikun, investimet e huaja përballë pushtetit lokal, transferimi i pasurive të paluajtshme si një aset i rëndësishëm për mirëfunksionimin e organeve të qeverisjes vendore, decentralizimi financiar dhe sfidat e tij në Shqipëri, instrumentet dhe planifikimi afatgjatë i qeverisjes vendore si edhe kompetencat e qeverisjes vendore në fushën e infrastrukturës dhe transportit, ishin temat kryesore që prekën në kumtesat e tyre, prof. Dr. Ferit Duka, dr. Migena Leskoviku, dr. Nevila Xhindi, dr. Juelda Lamçe, dr. Teuta Dobi, dr. Besnik Maho, dr. Genta Tafa, Armela Peçi, Iliaz Labi, Darjel Sina, Ornela Shapo, Evis Qorri, Arbër Gjeta, Redi Shtino etj.
“Nëpërmjet kësaj konference synimi ynë ishte të inkurajohej shkëmbimi i ideve dhe kërkimi shkencor në lidhje me Qeverisjen Vendore, zbatimin e autonomisë vendore si një parim themelor i sanksionuar në Kushtetutën e vendit dhe në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, reformat e ndërmarra në kuadrin e decentralizimit dhe impakti i tij me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe eficiencën e shërbimeve të ofruara qytetarëve në procesin e konsolidimit të organeve të qeverisjes vendore, si partner i pazëvendësueshëm i pushtetit qendror. Në këtë konferencë u referuan tema interesante që lidhen me zhvillimet e brendshme dhe ndërkombëtare, në kuadër të proceseve integruese të vendit, me qëllim që vizioni për një pushtet publik të decentralizuar sa më pranë qytetarëve, të bëhet realitet dhe të gjenerojë përfitime të përhershme për komunitetin vendor, bazuar në standardet demokratike europiane dhe në parimet e përcaktuara në Kushtetutë për një autonomi të pushtetit vendor”, përfundoi fjalën e saj dekania e fakultetit juridik në UET, Migena Leskoviku pas përfundimit të konferencës.