Tregu i fruta-perimeve kaotik në çmime
Ndërsa prodhimet bujqësore vendëse po njohin rritje, me afrimin e sezonit të nxehtë pritej që çmimi i fruta-perimeve të ulej ndjeshëm në tregun vendës. Por nuk ndodhi kështu. Tregu i fruta-perimeve në kryeqytet paraqitet kaotik përsa i përket çmimeve.
Nga një vëzhgim i gazetës MAPO në tregjet e kryeqytetit vihet re një luhatje çmimesh dita-ditës dhe diferencë mes tyre në tregje të ndryshme. Disa artikuj kanë pësuar ulje, ndërsa disa të tjerë rritje të theksuar. Një kg mollë kushtonte dje në disa tregje të kryeqytetit nga 120-160 lekë, një kg domate 120 lekë, një kg dardha 300 lekë, një kg kastravecë 40 lekë, një kg spinaq 40 lekë, një kg bizele 140 lekë, një kg kunguj 140 lekë, një kg speca nga 220-270 lekë. Sipas tregtarëve, çmimet po rriten në mënyrë progresive, të menjëhershme dhe të shpeshtë. Sipas tyre, dy javët e fundit kanë qenë me luhatje të mëdha çmimesh, duke ulur kërkesën për fruta-perime. Ata justifikojnë çmimet e larta me çmimet e importit dhe rritjen e vlerës së euros dita-ditës. Ndërsa konsumatorët, te xhepat e të cilëve bie barra më e rëndë, shprehen se janë të detyruar të blejnë më pak se më parë, sepse nuk i përballojnë dot çmimet e larta. Sipas tregtarëve, çmimet e fruta-perimeve, të cilat kanë pësuar rritje, janë rritur me të paktën 20-30 lekë përgjatë muajit të fundit.