Gjoni, njeriu i parë që kapi kokainë në Shqipëri
Karriera e Pjetër Gjonit në radhët e policisë ka nisur në vitin 1985, kur ai punonte si agjent krimesh. Deri në vitin 1994, ai ka punuar në zonën e Mirditës. Madje, në vitin 1992 ka kapur sasinë e parë të kokainës, e dokumentuar në të dhënat e policisë. Por, pas punës së tij operative, në vitin 1994, ai u lirua nga radhët e policisë, për t’u rikthyer sërish në vitin 1996. Sipas të dhënave, rikthimi i tij u bë me kërkesë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në atë kohë. Sipas të dhënave, sapo ishte vrarë një oficer policie dhe operativiteti i tij mund të sillte në zbardhjen e kësaj ngjarje. Ai vazhdoi të ishte në radhët e policisë kriminale deri në vitin 2002. Më pas ka punuar në disa sektorë si agjent krimesh. Nga viti 2004 deri në vitin 2006 u emërua si agjent i antidrogës në Lezhë. Madje, pak muaj para se të lirohej, falë punës së tij u godit një grup që shpërndante lëndë narkotike në gjimnazin e Lezhës, kur ai ishte infiltruar prej kohësh me qëllim arrestimin e tyre. Mes tyre u arrestua edhe djali i një personi të rëndësishëm dhe publik. Vetëm pak ditë më vonë, u transferua në Rrëshen, ku u emërua në shërbimet e rendit të komisariatit. Pa kaluar shumë kohë në këto shërbime, ai doli në reformë, për shkak të shkurtimit të vendit të punës. Gjatë punës së tij janë goditur persona të ndryshëm me precedentë kriminalë, por një rol të rëndësishëm ka pasur në goditjen e grupeve të trafikut drogës.
#