Euro rikuperohet në këmbim me USD
Euro u tregtua dje me 1,34 dollarë, raportuan të gjitha agjencitë e lajmeve ndërkombëtare, duke theksuar se monedha europiane ka fituar konsiderueshëm pikë ndaj monedhës amerikane, por ende nuk ka një plan shpëtimi për vendet e përfshira nga kriza. Megjithë ndryshimet në bursë gjatë ditës së djeshme, monedha europiane i ruajti pozitat e saj ndaj dollarit amerikan. Euro, sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve, u forcua duke u këmbyer me 1,3409 dollarë, krahasuar me 1,3294 dollarë në bursën ndërkombëtare të Neë York dy ditë më parë. Bursa ndërkombëtare ka ndikuar menjëherë edhe në kursin e këmbimit në vend. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan është këmbyer dje me 103.37 lekë, ndërsa monedha europiane me 138, 38 lekë, ndërsa agjencitë e këmbimit valutor kanë raportuar për tregtimin e euros me 138, 5 lekë. Sipas agjentëve valutorë, është bursa ndërkombëtare tashmë që ka efekt të menjëhershëm në tregun valutor vendas dhe e bën kursin e këmbimit në vend të paqëndrueshëm, gjithashtu edhe monedhën kombëtare lek.