Rritet me 40 % çmimi i bukës në qytetin e Burrelit
BURREL- Dje çmimi i bukës në qytetin e Burrelit është rritur me afro 40 %. Kjo është rritja më e madhe që kanë bërë ndonjëherë tregtarët e furrave të këtij qyteti. Ato kanë rënë dakord me njëri-tjetrin dhe e kanë rritur çmimin e bukës, nga 60-70 lekë për 850 gram, në 100 lekë, po për këtë peshë, e cila në të shumtën e rasteve është edhe më e vogël. Menjëherë pas kësaj rritje të beftë, kanë reaguar banorët e Burrelit, sidomos shtresa e të papunëve, pensionistëve dhe familjeve, që trajtohen me ndihmë ekonomike. Pensionistë të këtij qyteti pohuan se kurrë në jetën e tyre nuk e kanë blerë kaq shtrenjtë një bukë. “Pensioni që marrim nuk na mjafton për të blerë ushqimet, ilaçet, ndërkohë tani vjen edhe rritja e bukës. Ne nuk mund ta përballojmë këtë gjë. Ndoshta shteti duhet të jetë rregullator që çmimet të mos rriten kaq shumë” - thanë pensionistë të Burrelit. Akoma më të shqetësuar janë të papunët dhe ata që trajtohen me ndihmë ekonomike në bashki. “Një familje me katër pjesëtarë merr 4600 lekë në muaj. Nëse ajo do të marrë vetëm një bukë në ditë, i duhen 3000 lekë në muaj. I mbeten për problemet e tjera familjare 1600 lekë. Çfarë mund të blejë një familje me kaq para?” - u shprehën kryefamiljarë që trajtohen me ndihmë ekonomike. Tregtarët justifikohen se rritja erdhi pas rritje së çmimit të miellit, ndërkaq qytetarët u kërkojnë fermerëve të mbjellin më shumë grurë, në mënyrë që të mos presim gjithçka nga jashtë.