Euro vijon rënien, dollari arrin në 107 lekë
Monedha e përbashkët europiane vijoi të lëshojë terren dje në të gjithë botën, si pasojë e shqetësimeve të investitorëve në lidhje me krizën e borxheve në kontinent, gjë që u pasqyrua në Tiranë me rënien e euros me 32 qindarka kundrejt lekut dhe rritjen e dollarit me 23 qindarka. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i këmbimit në mesditën e djeshme qe 1 euro = 136.27 lekë dhe një dollar = 106.99 lekë. Në krahasim me të hënën e shkuar, euro kushton 1.36 lekë, ose 1 për qind më pak. Dollari kushton 3 lekë, ose 2.9 për qind më shtrenjtë. Luhatjet e valutës kundrejt lekut përbëjnë shpresë për shqiptarët e panumërt që kanë marrë kredi në euro, ndërsa përbën shqetësim për këto që mban një makinë, pasi rritja e vlerës së dollarit nënkupton pothuajse automatikisht rritje e çmimit final të karburanteve. çmimi i naftës në Tiranë ka arritur sakaq në 145-150 lekë për litër, çmimi më i lartë i shënuar që nga kriza e çmimeve të larta të vitit 2008. Një pjesë e rritjes së çmimeve të karburanteve ka ardhur nga mbiçmimi i dollarit.
#