E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurobondet, pak shpresa edhe për këtë javë

Dëshira e qeverisë për borxh të lirë përballet me krizën e re të monedhës euro

Shpresat e qeverisë shqiptare për stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare dhe emetimin e bondeve shqiptare me vlerë 400 milionë euro, duket se u shuan edhe për këtë javë, për shkak të krizës më të re që ka mbërthyer Eurozonën, atë të dobësimit të vazhdueshëm të monedhës euro përballë dollarit. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi për median ndërkombëtare javën e kaluar se bondet shqiptare do të fillonin të emetoheshin këtë javë, pas shpresës për stabilizim të krijuar nga mekanizmi i ri europian për huadhënie brenda bashkimit monetar me vlerë maksimale prej 750 miliardë eurosh. Por edhe këtë javë, tregjet ndërkombëtare jo vetëm që nuk u stabilizuan, por kaluan vështirësi edhe më të mëdha. Për rrjedhojë, edhe këtë javë, qeveria ka vijuar të heshtë dhe të mos hyjë në fazën e emetimit të bondeve.

Pasojat

Qeveria shqiptare mund të detyrohet të vijojë të paguajë interesat e larta prej euribor plus 9.65 për qind edhe për vitin e ardhshëm, në rast se emetimi i eurobondeve dështon. Një kredi me vlerë 192 milionë eurosh e marrë vitin e kaluar ka një kosto vjetore prej afro 20 milionë eurosh. Plani i qeverisë ishte që emetimi i bondeve t’i siguronte 400 milionë euro borxhe me kosto vjetore prej jo më shumë se 30 milionë euro, ose 30-50 për qind më lirë se sa kostoja e kredisë aktuale. Nga ana tjetër, dështimi me eurobondet mund ta detyrojë Ministrinë e Financave t’i drejtohet tregut të brendshëm për borxhet që i nevojiten për të mbuluar deficitin buxhetor të këtij viti. Në këtë rast, ekspertët kanë paralajmëruar se kostoja mund të jetë shumë e lartë dhe pasojat anësore në ekonomi mund të jenë komplekse. Nëse qeveria zëvendëson eurobondet me borxh të brendshëm, efekti i parë mund të jetë rritja e interesave të kredisë së ofrueshme për kompanitë dhe individët. Në këtë rast, kthesa nga kriza për ekonominë shqiptare mund të shtyhet edhe për disa muaj të tjerë. Kriza ekonomike besohet se ka shënuar kulmin e vet në tremujorin e parë të këtij viti dhe se tani situata pritet të përmirësohet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›