Vdes në galeritë e kromit minatori 65-vjeçar
Shembet galeria e kromit, vdes një minator. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në një nga galeritë private të kromit, në Krastë të Martaneshit, në rrethin e Bulqizës. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se rreth mesditës së djeshme, Muharrem Omuri, 65 vjeç nga Kukësi, ka humbur jetën nga shembja e galerisë teksa punonte për nxjerrjen e kromit në minierën e Krastës. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se 65-vjeçari punonte prej kohësh në një nga galeritë e shumta private të zonës mineralmbajtëse, ku kryente detyrën e armatorit. Teksa punonte në galeri për vendosjen e një katrori prej lënde drusore, në përpjekje për të armuar galerinë, është shembur tavani i saj duke e zënë nën vete. Muharrem Omuri, baba i pesë fëmijëve, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Mësohet se në pamundësi të gjetjes së një pune në rrethin e Kukësit, edhe pse i moshuar, ai ishte detyruar të shkonte të punonte në Krastë të Martaneshit për të siguruar të ardhura për familjen e tij, e cila ndodhet në kushte të vështira ekonomike. Pasi janë informuar për ngjarjen e rëndë, forca të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e saj. Trupi i minatorit të vrarë është dërguar me furgon nga shokët e punës për në morgun e spitalit të Bulqizës, në pritje të mjekëve ekspertë nga spitalet e Peshkopisë dhe Burrelit për të bërë autopsinë. Ngjarja e rëndë ka rikthyer frikën mes minatorëve të Krastës. Me dhjetëra galeri në zonën e Krastës në pellgun krommbajtës të Batrës, janë privatizuar nga firma të vogla private. Shfrytëzimi i këtyre galerive bëhet prej tyre jo në kushte të sigurisë së duhur të jetëve të minatorëve. Këtë shqetësim e konfirmoi para disa ditëve edhe ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë një vizite të bërë në minierën e Bulqizës. Megjithatë aksidenti i djeshëm, ku në galeritë e thella të nëntokës punojnë edhe minatorë 65-vjeçarëm që edhe me ligjin aktual të sigurimeve shoqërore duhet të kenë dalë në pension, shpresat për garantimin e jetëve të minatorëve zbehen ndjeshëm.
#