Far i rrallë në Ballkan, në kodrat e Lëkurësit
Lëkurësi nuk do të jetë vetëm një pikë pelegrinazhi për kalanë e tij të gurtë, që përcjell traditë dhe histori, por edhe një pikë orientimi për të gjithë trafikun detar në kanalin e Korfuzit dhe në gjirin e Sarandës. Në një nga kodrat e Lëkurësit specialistë të shërbimit hidrologjik shqiptar dhe atij italian kanë mundësuar ngritjen e një fari modern, për të cilin specialistët thonë se është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri dhe i rrallë në Ballkan.
Gëzim Koçi, komandant i shërbimit hidrologjik shqiptar, ka treguar se ngritja e këtij fari doli e nevojshme vitet e fundit, kur një i tillë, që gjendej në kodrat e Berdeneshit, 4 km larg Sarandës, doli jashtë funksionit. Kjo, për shkak të ndërtimeve të larta që zunë dhe prishën rrezen e tij. Për investimin e ri komandanti Koçi thotë se ai ka efekte orientuese në rrezen 25 milje detare dhe se funksionon në mënyrë të pavarur nga burimet e ushqyerjes me energji elektrike. Ai thotë se fari është me optikë të rrotullueshme, që u shërben edhe fluturimeve ajrore e shërbimeve të tjera. Investimi për farin e Lëkurësit ka nisur dy vjet më parë, kur u krye studimi për të dhe në gushtin e vitit të kaluar nisën punimet ndërtuese. Projekti, sipas tij, ka marrë edhe miratimin e dikasterit të turizmit e kulturës dhe në pikëpamjen ndërtimore ai i përshtatet mjedisit, pasi kulla e farit është e gjitha e veshur me rrasa guri, karakteristike për ndërtimet në Lëkurës. Kalaja, fari dhe peizazhi natyror që shpaloset nga maja dhe kodrat e Lëkurësit, janë në një trinitet vlerash.
Fari i Lëkurësit përfaqëson një investim të realizuar falë bashkëpunimit mes palës shqiptare dhe asaj italiane. Aleksandro Napolione, komandant i zyrës teknike të marinës luftarake italiane, thotë se ideja për ta realizuar farin në këtë pozicion është realizuar së bashku me autoritetet shqiptare dhe komandantin Brazili, ekspert i delegacionit italian në Shqipëri. Mbrëmjen e djeshme është bërë testi i parë aktivizimit të farit të Lëkurësit, i cili ka treguar se gjithçka ka funksionuar sipas parametrave teknikë. Kjo e klasifikon farin të vetmin në vendin tonë, si dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajonin e Ballkanit.
#