E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurobondi, Qeveria rrit interesin



Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti, me një shpejtësi marramendëse i kanë dhënë të drejtën Ministrisë së Financave të rrisë me 1 për qind kufirin e interesit të eurobondit 400 milionë euro. Në një fshehtësi për t'u pasur zili, institucionet kanë vendosur të shtojnë, të paktën në parim, me 20 milionë euro interesat që duhet të paguajnë shqiptarët për borxhin e ri. I vetmi institucion, që të paktën parimisht është OK, është ai i Presidentit. Në faqen zyrtare të Presidencës është botuar në datën 10 maj, në kulmin e krizës politike, dekreti "Për shpalljen dhe dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit nr. 10276". Bëhet fjalë për ligjin që i jep të drejtë Ministrisë së Financave të çojë tavanin e interesit, me të cilën do të shitet eurobondi 400 milionë euro, nga 7.5 për qind, në 8.5 për qind. Pra në rast se Qeverisë i lejohej që borxhin me eurobonde ta merrte me interes deri në 7.5 për qind, tani i lejohet ta marrë me interes deri në 8.5 për qind. Në shifra duket një ndryshim i vogël, por efekti në pagesat që duhet të paguajë Ministria e Financave është rreth 20 milionë euro.
Ndryshimi
Qeveria, Komisioni i Ekonomisë dhe Kuvendi, brenda pak ditësh kanë ndryshuar në fshehtësi të plotë ligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së mandatimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Deutsche Bank AG, London e J.P. Morgan Securities, LTD, si menaxherë bashkëdrejtues, për transaksionin e emetimit të eurobondit deri në 400 milionë euro dhe miratimin e dokumenteve të tjera të transaksionit". Ky ligj parashikonte që Qeveria shqiptare, borxhin e brendshëm për financimin e deficitit ta zëvendësonte me borxh në euro. Pra, Qeverisë i lejohej që bashkë me bonot e thesarit në lekë, të financonte deficitin edhe në bono thesari në euro, ose ndryshe eurobonde. Në ligjin e miratuar nga Kuvendi më 15 prill, parashikohej që Qeveria mund të merrte borxh me eurobonde nga tregjet e huaja, me një maksimum interesi vjetor prej 7.5 për qind. Mbi këtë vlerë, Qeveria nuk mund të financonte deficitin buxhetor me euro. Pra në rast se tregjet do të ofronin një interes më të lartë se 7.5 për qind, Qeveria nuk mund të shiste eurobondin. E gjendur përballë tregjeve ndërkombëtare të trembura dhe kërkesës imediate për para në buxhet, Qeveria vendosi të rrisë normën tavan të interesit, nga 7.5 për qind në 8.5 për qind. Vendimi i Qeverisë, që kërkon këtë ndryshim në ligj, nuk figuron të jetë publikuar. Ashtu sikur nuk figuron të jetë publikuar as vendimi i Komisionit të Ekonomisë apo vendimi i deputetëve të seancës plenare të datës 6 maj të këtij viti. E gjithë kjo fshehtësi ka një logjikë tregu. Rritja e tavanit të normës së interesit, sigurisht është një mundësi më e shtrenjtë për Qeverinë për të marrë borxh. Por nga ana tjetër, ky veprim, sigurisht që nuk është mirë të bie në sy të investitorëve në tregjet botërore. Të gjithë normalisht do të synonin maksimumin e mundshëm të interesit për të maksimizuar fitimet e tyre. Dhe kjo do të shkaktonte një rritje të kostos së borxhit për Qeverinë dhe rrjedhimisht për të gjithë shqiptarët. Por, ajo që të bën përshtypje, është këmbëngulja e Qeverisë për të marrë patjetër borxh në euro.
Buxheti pa para
Insistimi i Qeverisë, duke rritur normën e interesit, sigurisht që tregon se shifrat e të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhet nuk janë fortë mirë. Deficiti buxhetor në fund të katërmujorit arriti në 52 milionë USD, nga 28 që ishte parashikuar. Por problemi më i madh është se pjesa dërrmuese e deficitit është financuar nga bankat e nivelit të dytë, me anë të bonove të thesarit, duke e tejkaluar me rreth 800 për qind planin e parashikuar. Kjo ka sjellë që e gjithë strategjia e financave, për të ulur financimin e deficitit nga bankat e nivelit të dytë, duke e zëvendësuar atë me financim nga jashtë, të dështojë. Financat, në fillim të vitit theksuan se do t'i bëjnë presion bankave, duke mos emetuar bono thesari, për të dhënë më shumë kredi. Por të paktën për katër muajt e parë ka ndodhur e kundërta. Kjo është një arsye pse financat, Qeveria dhe Kuvendi, me një shpejtësi marramendëse, kanë vendosur të shtojnë interesat e borxhit, vetëm atë ta marrin nga jashtë me euro. Një arsye tjetër, është kërkesa e madhe për euro që ka Qeveria për të paguar investimet e huaja. Në buxhetin fillestar për vitin 2010 ishte parashikuar që për segmentin Rrëshen-Kalimash, totali i shpenzimeve të ishte 3 miliardë lekë. Gjatë katër muajve të parë të vitit, Qeveria ka paguar rreth 6.3 miliardë lekë, pra rreth 210 për qind më shumë se plani. Becktel-Enka kanë lidhur kontratë, e cila paguhet në euro dhe akoma rruga nuk ka përfunduar. Kjo mund të jetë një arsye e fortë e Qeverisë për të marrë borxh në euro. Një arsye tjetër e fortë, është ajo që vetë Ministri i Financave ka pranuar. Sipas tij, rreth 200 milionë euro nga eurobondi do të shërbejnë për të shlyer kredinë sindikale të një viti më parë me të njëjtën vlerë, për të paguar sërish rrugën Rrëshen-Kalimash. Vetëm interesat, që duhet të paguajë më 28 maj Qeveria, arrijnë në 10 milionë euro. Dhe kjo sigurisht që është një arsye e fortë pse insistohet, edhe me interesa të shtrenjta, shitjen e eurobondit.
Efektet e ndryshimit
Qeveria ka zgjedhur Deutsche Bank AG, London e J.P. Morgan Securities, LTD, si menaxherë bashkëdrejtues, për transaksionin e emetimit të eurobondit. Në ligj theksohet se janë pikërisht këto dy gjigandë bankarë, që kanë këshilluar në fillim Qeverinë shqiptare, që tavani i interesit për eurobondin të jetë 7.5 për qind. Nga ana tjetër, sipas burimeve nga Qeveria, janë sërish këto dy banka që kanë kërkuar rritjen e mundësisë për negocim në tregje, duke rritur me 1 për qind tavanin e interesit. Kuvendi e miratoi në fshehtësi rritjen në 8.5 për qind të tavanit, për të lejuar agjentët e dy bankave të kishin më shumë hapësirë negocimi në tregje. Situata e këtyre të fundit u përkeqësua ndjeshëm, pas krizës financiare greke dhe aktualisht, shumë vende si çekia, Polonia, Kroacia janë duke pritur, ashtu si edhe Shqipëria, një moment të dytë për shitjen e eurobondeve. Të dhënat tregojnë se para deklaratës së Ministrit të Financave të Greqisë, rreth dy javë më parë, për pamundësi financiare, norma e interesit që ju ofrua Shqipërisë ishte diku te 6.7 për qind. Ndërkohë që fill pas kësaj deklarate ky interes shkoi në 7.8 për qind. Kjo ishte arsyeja që Deutsche Bank dhe J.P. Morgan, kërkuan rritjen e hapësirës së negocimit deri në 8.5 për qind. Rritja me 1 për qind e interesit do të thotë që vetëm për një vit, për një kredi 400 milionë euro Shqipëria të paguajë 4 milionë USD më shumë. Ose rreth 20 milionë USD më shumë për 5 vite.

Vonesa në rimbursimin e TVSH, bizneset pa likuiditet
Vonesa në rimbursimin e TVSH-së është një nga problemet kyç për bizneset në vend, pasi çdo vit u kushton atyre 1.34 miliardë lekë. Studimi më i fundit mbi TVSH-në, i zhvilluar nga Qendra Shqiptare për Tregtinë e Jashtme, nxjerr në pah ecurinë e shlyerjes së detyrimit që shteti ka ndaj biznesit, çka rezulton jo shumë pozitiv. Në fokus të studimit të ACIT janë vendosur 250 kompani dhe biznese, të cilët gjatë intervistave të zhvilluara kanë përcaktuar si problematikë vonesën që iu krijon probleme me likuiditetin. Kjo, pasi rreth 89% e kompanive pretendojnë rimbursime mbi 800 mijë lekë. Shumica prej tyre ankohen për zgjatje të afatit përtej asaj që sanksionon ligji përkundër 16 % të kompanive, që konfirmojnë se janë rimbursuar brenda afatit 30- ditor. Përgjithësisht vonesat prekin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që në shtrirje gjeografike më të dëmtuarit janë bizneset në rajone të vogla, të cilëve TVSH-ja iu rimbursohet më pak. Referuar studimit të Qendrës Shqiptare për Tregtinë e Jashtme, del se ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore vitin e kaluar nuk kanë dhënë ndonjë efekt të ndjeshëm dhe këtë e pohojnë 73 për qind e bizneseve të përfshirë në studim. ACIT nuk është e vetmja që me këtë studim ka ngritur si problematikë rimbursimin e TVSH-së. Kohë më parë edhe në një forum të Dhomës Amerikane të Tregtisë u ngrit kjo si problematikë nga shumë biznese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›