E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetët: Heqja e vizave, në fund të vitit

Raporterja për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, tha se do të duhet kohë shtesë për të përfunduar gjithë procesin e liberalizimit të vizave


STRASBURG- Liberalizimi i vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të shtyhet deri në fund të vitit. Ky konstatim vjen nga zyrtarët e Bashkimit Europian dhe konkretisht nga eurodeputetët sllovenë, Jelko Kacin dhe Tanja Fajon.


Sipas eurodeputetit, Jelko Kacin, mundësia e shqiptarëve dhe boshnjakëve për të lëvizur të lirë në vendet e zonës "Shengen" do të mund të ndodhë në fund të këtij viti dhe jo më parë ashtu siç ishte parashikuar nga qeveritë respektive. "Heqja e vizave nga Bashkimi Europian për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës - Hercegovinës ka gjasa që të shtyhet deri në fund të vitit", - tha eurodeputeti slloven, Jelko Kacin.


Jelko Kacin, i cili në muajin mars vizitoi Shqipërinë, së bashku me një grup ekspertësh të Parlamentit Evropian, thekson se propozimi nga Komisioni Europian për të hequr vizat me qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë, ka të ngjarë të jetë në axhendën e Parlamentit Europian në shtator dhe se propozimi mund të hyjë në fuqi në muajin dhjetor, pothuajse një vit, pasi u hoqën vizat për qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.


Ndërsa raporterja për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, specifikoi se do të duhet kohë shtesë për të përfunduar gjithë procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjës, dhe kjo mund ta zgjasë procesin e heqjes së vizave gjatë këtij viti.


Duke iu referuar raportit vlerësues të Komisionit Europian të publikuar gjatë ditëve të fundit, i cili vëren se Shqipëria dhe Bosnja nuk kanë përmbushur një pjesë të kushteve për liberalizimin e vizave, Fajon thekson se ai dokument është provë që të dyja vendet mund të humbin mundësinë e liberalizimit të vizave, para verës dhe se një vendim i mundshëm mund të merret vetëm më vonë gjatë vitit.


Përveç këtij fakti, ajo vuri në dukje se pret një vlerësim pozitiv për vendet e Ballkanit Perëndimor, por dërgimi i një misioni vëzhgues në Shqipëri dhe Bosnje është më se i rëndësishëm për të parë nga afër mosplotësimin e kushteve që flitet edhe në raportin e KE-së.


"Unë pres që për të dyja vendet të ketë një vlerësim pozitiv, por një mision i mëtejshëm do të jetë i nevojshëm. Ka mundësi që ekspertë të rinj të vizitojnë Shqipërinë, çka, sigurisht nënkupton kohë shtesë, dhe ne nuk do të arrijmë të përfundojmë procesin para pushimeve të verës", - u shpreh eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon. Ajo shtoi që në gjithë këtë proces të heqjes së vizave me të dyja vendet, është e rëndësishme që Bashkimi Europian të mbetet i besueshëm.


Ndërkaq, të martën pasdite do të mblidhet Komiteti për të Drejtat Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Familjes i Parlamentit Europian për të dhënë vlerësimin se sa është e gatshme Shqipëria dhe Bosnja për të hequr vizat. Vlerësimi do të bëhet në bazë të raportit të përgatitur nga grupi i ekspertëve të Parlamentit Europian, të cilët ishin të pranishëm në Shqipëri muajin e kaluar.


Meta referoi dje për Afganistanin në Estoni

Rasmusen në Tiranë, me 29 prill

TIRANË - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, me ftesë të qeverisë shqiptare, do të vizitojë Shqipërinë në datën 29 prill, një ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.


Sipas axhendës së publikuar tashmë nga siti i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Rasmusen do të takojë Berishën, Metën, Topallin dhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, referoi dje në seancën për situatën në Afganistan gjatë Ministerialit të NATO-s në Estoni. Gjatë fjalës, Meta foli për angazhimin konkret të Shqipërisë në Afganistan.


Meta theksoi gjithashtu se lufta që po zhvillohet në këtë vend i shërben sigurisë së gjithë botës. "Kjo luftë nuk është për sigurinë e aleatëve të NATO-s, as të ndonjë vendi të veçantë.


Bëhet fjalë për sigurinë e të gjithë botës. Në këtë kontekst ne jemi të inkurajuar dhe njëkohësisht të nderuar të kemi midis nesh sot, vendet më të reja kontribuuese me trupa, Mongolinë dhe Republikën e Koresë, e cilat u bashkuan me ISAF kohët e fundit", - tha dje Meta.


Ministri i Punëve të Jashtme rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë dhe mbështetjen për suksesin e misionit paqeruajtës ISAF, si dhe vendosmërinë e saj për të qenë e pranishme në Afganistan, përkrah vendeve kontribuuese në kuadër të ISAF-it, për aq kohë sa është e nevojshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›