Rama: 30 prilli do të jetë protestë paqësore
Kryetari i opozitës tha se askush nuk duhet të përfytyrojë një përplasje të dhunshme me 30 prill
TIRANË - Partia Socialiste garanton se protesta e 30 prillit do të jetë një përshkallëzim i reagimit qytetarë ndaj kësaj qeverie, por që nuk do të kthehet kurrsesi në një akt force apo dhune.
Kreu i kësaj force, Edi Rama, duke bashkëbiseduar dje me gazetarët, ka sqaruar se thirrja për mosbindje civile nuk ka të bëjë me përdorimin e forcës, por me një valë protestash që do të synojnë bllokimin e asaj që ai e konsideroi si keqqeverisje dhe detyrimin e atyre që drejtojnë mazhorancën që të dëgjojnë zërin e opozitës për zgjidhjen e krizës.
"Askush nuk duhet të përfytyrojë një përplasje të dhunshme, por horizonti i përfytyrimit të një rezistence popullore, paqësore, të vendosur, këmbëngulëse, është kaq e gjerë falë dhe shumë e shumë shembujve ku përpjekjet e njerëzve për të garantuar liri dhe dinjitetin e tyre brenda gjithë hapësirës së një jetë të vërtetë demokratike kanë pasur sukses pikërisht falë forcës së arsyes dhe jo arsyes së forcës", - tha kryetari i PS-së, Edi Rama, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, lidhur me atë që do të ndodhë në 30 prill dhe më pas me protestat e thirrura prej socialistëve.
"Protesta, - ka theksuar kryesocialisti, nuk duhet parë si një ndeshje me një kohë të kufizuar, rezultati i së cilës përfundon kur mbaron koha e caktuar, por se është një proces dhe një betejë për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për ekonominë që të mbajë në këmbë dhe t'u hapë perspektiva të gjitha familjeve shqiptare".
"Në këtë kontekst duhet kuptuar shumë qartë që ne në 30 prill do bëjmë një përshkallëzim të kësaj beteje dhe ndërkohë përsërisim domosdoshmërinë që zoti Berisha dhe pushteti i dalë nga vota e grabitur të mos bëjë shurdhin dhe as qorrin përballë të vërtetës së madhe se ky vend nuk mund të kthehet në një mbretëri të pa shpallur ku pasuritë e përbashkëta trajtohen si asete në funksion të pasurimit të një grushti njerëzish", - tha më tej Rama.
Nëse qeveria do të vazhdojë të bëjë veshin e shurdhër dhe syrin e verbër ndaj përpjekjeve të opozitës, kreu socialist tha se beteja do vazhdojë pa u ndalur, me durim dhe me kurajë. Më tej, ai është ndalur edhe tek rezultatet e raportit të FRIDE-s, një organizate jo qeveritare spanjolle, ku konstatohet se situata e lirisë së medias në Shqipëri është përkeqësuar.
Kjo, sipas Ramës, është pasojë e shtrëngimit që qeveria i ka bërë treguesve të demokracisë në vend, një prej të cilëve është edhe liria e medias. Ai ka përmendur si tregues të këtij përkeqësimi edhe presionet e ushtruara nga qeveria kundrejt medieve me qeverinë siç është gazeta "Shekulli".
Ai nuk ka lënë pa folur edhe për ekonominë, për të cilën ka konstatuar se tashmë nuk kemi të bëjmë thjesht me një krizë momentale, por me falimentimin e një modeli ekonomik të ngritur në një politikë ekonomike të çartur.
Ndërkohë, gjatë pasdites së djeshme Rama është ndalur në Elbasan, ku ka përshëndetur protestën e banorëve të këtij qyteti, ku kanë marrë pjesë të gjithë deputetët e Elbasanit, kreu i baskisë, Sejdini, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela.
Për herë të parë pjesë e protestës është bërë edhe ish-deputeti demokrat, Preç Zogaj. Duke folur në këtë tubim, kreu socialist ka deklaruar se papunësia, borxhet e mëdha të krijuara nga kjo qeveri dhe rritja e faturave janë një arsye më shumë për të marrë pjesë në protesta. "Këtë vit shqiptarët kanë humbur 71 mijë vende pune.
Nga 28 qershori e deri më sot kanë humbur më shumë se 100 mijë vende pune dhe kjo, sepse pushteti i sotëm nuk buron nga vota e popullit, por nga mekanizmi i korrupsionit", - tha Rama, duke i kërkuar qeverisë ose të hapë kutitë ose të largohet.