E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetët: Opozita të kthehet në Kuvend

Bojkoti i opozitës cilësohet absurd nga të gjithë eurodeputetët e Parlamentit Evropian, edhe pse ata propozojnë mënyra të ndryshme që opozita të kthehet në Kuvend. Krerët e grupeve parlamentare të djathta në Parlamentin Evropian e cilësojnë bojkotin një absurd dhe deklarojnë se opozita u është larguar përgjegjësive të veta. Sipas tyre, nuk ka kompromis në këtë qëndrim dhe se opozita duhet të kthehet menjëherë në Kuvend. Nga ana e tyre, të majtët në Parlamentin Evropian shprehen se duhet të ketë vend për dialog. Sipas tyre, kjo është një çështje që u përket të dyja kampeve në mënyrë që të gjendet një zgjidhje që opozita të zërë vendin që i takon në Kuvend. Për këtë, në muajin e ardhshëm, socialistët evropianë do të organizojnë një takim ne nivel evropian në Tiranë, ku do të diskutojnë për perspektivën e Ballkanit në BE, ku pjesë e takimit do të jetë edhe kthimi i opozitës në Kuvend.
Të djathtët evropianë
Eurodeputetët e djathtë kërkojnë që opozita të kthehet menjëherë në Kuvend, pasi, sipas tyre, bojkoti nuk ka vend në një demokraci. Joseph Daule, kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane, të djathta, tha për mediat shqiptare se opozita nuk po bën detyrën e vet. Sipas tij, të zgjidhesh në Kuvend, ke përgjegjësi për qytetarët dhe se opozita duhet të luajë rolin e saj. “Është e vështirë për të ndërtuar demokracinë si proces formimi. Në shumë vende që kanë njohur komunizmin, është e vështirë për të mësuar se ç’është demokracia e vërtetë. Demokracia e vërtetë është që opozita të bëjë punën e vet, të bëjë propozimet e veta dhe të përgatisë të ardhmen, pasi opozita një ditë do të vijë në pushtet, siç ndodh në vendet evropiane. Nuk duhet bojkotuar, pasi bojkoti nuk ekziston në demokraci. Kur zgjidhesh nga populli dhe qytetarët, ke një përgjegjësi dhe duhet të përgjigjesh për këtë”, - deklaroi kreu i të djathtëve në PE, Joseph Daule.
Liberal-demokratët
Qëndrimi i liberal-demokratëve në Parlamentin Evropian është i njëjtë me të djathtët e PE-së. Kreu i grupit parlamentar të euroliberalëve dhe demokratëve, Jelco Kacin, deklaroi se opozita duhet të kthehet në Kuvend, pasi ajo ka shumë për të bërë për vendin e saj në procesin e integrimit. Sipas tij, bojkoti nuk ka vend në një moment kur vendi është në proces anëtarësimi në BE, që, sipas tij, është një proces pjekurie. Kacin bëri thirrje që opozita të kthehet në Parlament. “Ka shumë për të bërë për liberalizim e vizave dhe nevojiten të gjitha partitë, kështu që të gjitha partitë politike dhe shoqëria civile duhet të përfshihen për të ardhmen evropiane të vendit. Është proces pjekurie të bëhesh gati për anëtarësim dhe unë gjej rastin për t’i bërë thirrje çdo partie në vend të kthehet në Parlament. Të marrin pjesë në jetën politike të vendit për të përshpejtuar procesin e demoktratizimit dhe të anëtarësimit”, - deklaroi për mediat shqiptare kreu i grupit parlamentar të euroliberalëve dhe demokratëve, Jelco Kacin.
Socialistët evropianë
Eurosocialistët nuk janë dakord me bojkotin që Ben opozita në vend, por ata shprehen se përgjegjësia është e të dyja kampeve politike, si e opozitës, ashtu edhe e mazhorancës. Kreu i socialistëve evropianë në Parlamentin Evropian, Martin Shulz, tha dje se palët duhet të dialogojnë. Ai u shpreh se ka pasur kontakte për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Vendi ka nevojë për zgjedhje të forta dhe duhet të ketë perspektivë evropiane, për këtë duhet bashkëpunimi i gjithë spektrit politik. Ajo që bisedova me kryetarët, është se ç’mund të bëjmë ne si socialistë evropianë dhe diskutuam për disa opsione të përbashkëta. Por, nuk mund t’i bëj publike”, - deklaroi Shulz. Ai tha më tej se socialistët evropianë po përgatisin një konferencë për situatën në Ballkan ku do të flitet për të majtën në Shqipëri dhe për situatën në vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›