E Diel, 1 Nëntor 2026

Albertini - Topalli: Bojkoti i PS-së, refuzim i demokracisë

Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE-së dënon bojkotin e PS-së
“Në verë liberalizohen vizat për shqiptarët”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori një garanci nga kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, Gabriele Albertini, se vizat për shqiptarët do të liberalizohen në verën e këtij viti. Në takimin mes dy personaliteteve në Bruksel, u prekën temat kryesorë të zhvillimeve politike në vend, por edhe ato të procesit të integrimit të vendit në BE. “Sigurisht, brenda mesit të këtij viti, në verë, do të mbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Jemi shumë të kënaqur, sepse kjo afron Shqipërinë me Evropën, dëshirë që e kemi të gjithë ne, veçanërisht ne italianët që jemi afër. Natyrisht dhe për shqiptarët, që pas vitesh izolimi, aspironi të hyni në Evropë me të drejta të plota”, - deklaroi Albertini.
Nga ana tjetër, i pyetur nga mediat shqiptare në lidhje me bojkotin e opozitës në Shqipëri, Albertini deklaroi: “Të mos pranosh rregullat, siç bën opozita me qëndrimin e saj, është të refuzosh demokracinë”. Ai tha se roli i opozitës është i rëndësishëm në demokraci, pasi ajo kontrollon qeverisjen. “Pa dyshim rregullat e demokracisë janë rregulla të forta. Në momentin kur bëhen zgjedhje dhe pasi komuniteti ndërkombëtar i ka verifikuar dhe certifikuar si zgjedhje të rregullta, atëherë rezultat e dala qartësisht janë një realitet. Nga këto zgjedhje ka dalë një mazhorancë dhe minoranca duhet të ndërgjegjësohet për vendin që i takon. Të mos pranosh këto rregulla, siç bën opozita me qëndrimin e saj, është të refuzosh demokracinë. Pra, konfirmoj pozicionin e Presidentit të Parlamentit Evropian, Buzek, se “mazhoranca qeveris dhe opozita kontrollon”, - deklaroi Gabriele Albertini. Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian tha më tej se Kuvendi ka një rol të rëndësishëm në demokraci dhe roli i opozitës brenda tij mbetet kyç për funksionimin real të demokracisë së një vendi. “Bazuar në shtetin e së drejtës, në ndarjen e pushteteve, ku Parlamenti është një pushtet, drejtësia një pushtet tjetër, qeveria një tjetër dhe meqenëse drejtësia ka marrë një vendim në lidhje me pretendimet e opozitës, atëherë pushteti politik nuk mund të dalë mbi pushtetin e drejtësisë. Po ta bënte Parlamenti këtë, do të thotë që të shkelë rregullat e shtetit të së drejtës dhe kjo do të largonte Shqipërinë nga Evropa”, - deklaroi më tej Albertini.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›