E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurodeputetët pro heqjes së vizave

Fajon-Bussutil

Eurodeputetët japin garanci se liberalizimi i vizave me Shqipërinë do të ndodhë pavarësisht situatës politike në vend. Pak ditë pas vizitës në Tiranë, ku një delegacion i Parlamentit Europian pa nga afër realizimin e kushteve teknike të kërkuara nga Europa për liberalizimin e vizave, vijnë edhe sinjalet pozitive. Raportuesja për vizat për Shqipërinë dhe Bosnjën, Tanja Fajon, deklaroi dje në Bruksel se procesi i liberalizimit të vizave është thellësisht teknik dhe për këtë arsye Shqipëria ka shanse të mira për një liberalizim të shpejtë. “Përmbushja e kritereve të udhërrëfyesit për heqjen e vizave është një proces teknik. Janë më shumë se 100 kritere teknike, që një vend duhet t’u përgjigjet për të kualifikuar. Pjesa teknike është më e rëndësishmja dhe unë nuk do të shtoja asnjë kriter politik në këtë udhërrëfyes. Duhet të jetë një proces rreptësisht i ndarë me atë politik”, thekson Fajon sipas njoftimit të shpërndarë nga Kryeministria. Sipas saj, nga vizita që u zhvillua në Tiranë delegacioni mbeti shumë i kënaqur. I të njëjtit qëndrim shprehet edhe eurodeputeti Simon Bussutil, pjesë e grupit të Partive Popullore. “Ne duam ta mbajmë këtë çështje në nivelin teknik. Për një vend që kërkon heqjen e regjimit të vizave, ai duhet të përmbushë kriteret teknike. Ne nuk duhet ta përziejmë këtë me çështjet politike”, thekson Bussutil.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›