E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet trafikanti, shiste drogë te dy grupe shpërndarësish

Policia e kryeqytetit arreston Geltian Cakon në një banesë me qira te “Xhamlliku”

Një i kërkuar për trafik droge, furnizues i dy grupeve të shpërndarjes së heroinës në Tiranë, është arrestuar ditën e djeshme nga forcat e operacioneve speciale, ndërkohë që kërkohej prej pak kohësh. I arrestuari Geltian Cako është kapur gjatë një operacioni në orët e para të mëngjesit, pas një survejimi disaditor, në një banesë me qira në afërsi të rrugës “Hoxha Tasim”, pranë “Xhamllikut”, ku qëndronte i fshehur për t’iu shmangur policisë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se 25-vjeçari i arrestuar është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda me 5 vjet e gjysmë burg për trafik të lëndëve narkotike. Sipas të dhënave hetimore, në momentin e arrestimit, atij nuk i është kapur sasi droge, por që nga dokumentimi i veprës penale të konsumuar prej tij ka rezultuar se ka furnizuar disa shpërndarës shumë herë me lëndë narkotike të llojit heroinë. Nga dosja penale në ngarkim të tij mësohet se në muajt shkurt dhe mars të vitit 2009, pas një pune hetimore nga antidroga e kryeqytetit, u goditën dy grupe që shpërndanin heroinë në zona të ndryshme të Tiranës.

Të dy grupet u arrestuan, ndërkohë që personi, i cili dyshohej për furnizimin e tyre me lëndë narkotike, nuk u kap. Ndërkaq, gjatë hetimeve që vijuan edhe më vonë, u zbulua se ky person ishte Geltian Cako, 25 vjeç. Në këto kushte, policia e kryeqytetit e vuri në hetim, por nuk mundi të bjerë në gjurmët e tij, pasi arrinte të fshihej nëpër banesa të ndryshme me qira dhe nuk kishte një adresë të saktë. Nga ana tjetër, gjatë kohës së hetimeve, persona të proceduar penalisht, në gjendje të lirë ose të arrestuar, deklaruan se heroinën e blinin nga 25-vjeçari. Duke mbledhur këto dëshmi, si dhe të dhëna të tjera hetimore për këtë person u përgatit një dosje penale, e cila iu referua prokurorisë.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ngriti akuzë për trafik të lëndëve narkotike.

Gjithashtu, u dokumentua se ai shiste heroinë në zonën e “Brrylit”, ku kishte edhe aktivitetin më të madh të tij, por edhe në zonën e Shkollës së Bashkuar. Gjithë këto raste iu dokumentuan Geltian Cakos dhe iu bashkëngjiten dosjes në ngarkim të tij. Pa kaluar shumë kohë, dosja shkoi për gjykim në Gjykatën për Krime të Rënda, ndërkohë që u dënua me 5.5 vite burg. Dënimi i tij, sipas të dhënave policore, është dhënë pak ditë më parë, pavarësisht se Cako vazhdonte të ishte në kërkim, pasi nuk ishte rënë në gjurmët e tij. Nga ana tjetër, oficerët e operacioneve speciale, pas një informacioni operativ, gjetën vendndodhjen e tij pranë “Xhamllikut” dhe për disa ditë mbajtën zonën përqark nën vëzhgim.

Pasi u bindën se ai banonte aty dhe kishte marrë me qira banesën e një emigranti, i cili banon në Kanada, u plotësuan të gjitha dokumentet përkatëse dhe mëngjesin e djeshëm u organizua operacioni, që bëri të mundur goditjen e tij. Sipas të dhënave policore, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë, atij nuk iu gjet asgjë e dyshimtë, apo lëndë narkotike. Megjithatë, iu komunikua akuza dhe u dërgua në qeli.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›