Demokratët bllokojnë miratimin e deklaratës nga Parlamenti Europian
Në përfundim të mbledhjes së dytë të Komitetit Ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe BE-së, Parlamenti Europian nuk ka qenë në gjendje të miratojë deklaratën e përbashkët me rekomandimet përfundimtare. Shkak për këtë mësohet të jenë bërë deputetët demokratë të delegacionit parlamentar shqiptar. Madje këtë e ka pohuar eurodeputeti Viktor Bostinaru, i cili tha se Beja ka marrë telefonata nga Tirana, gjë që bllokoi arritjen e kompromisit. Kjo është hera e parë që Parlamenti Europian nuk arrin të miratojë një deklaratë të përbashkët. “Kompromisi u arrit me të dyja palët. Por, z. Beja erdhi në fund të negociatave. Ai pati telefonata nga Tirana sepse bllokoi negociatat dhe ne nuk ia dolëm të miratonim deklaratën përfundimtare. Kjo gjë është e paprecedentë për takime ndërparlamentare që të mos kenë një qëndrim përfundimtar. Kjo është alarmante për Parlamentin Europian që nuk po sheh gatishmëri nga të dyja palët në Shqipëri për të punuar së bashku për fatin europian të vendit tuaj. Unë nuk e kuptoj që përmes pingpongut, ne këtu në Parlamentin Europian të bashkëpunojmë, ndërsa kolegët tanë shqiptarë të mos bëjnë të njëjtën gjë”, - është shprehur eurodeputeti Bostinaru. Edhe kryetari i delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan, shprehu zhgënjim për dështimin e diskutimeve. “Ngërçi politik ishte evident këtu në Parlamentin Europian, sepse pas dy ditë diskutimesh intensive, ne nuk ia dolëm të miratojmë deklaratën e përbashkët me rekomandimet e nevojshme. Jam i zhgënjyer, nuk e fsheh këtë, sepse për herë të parë, një takim i tillë përfundon në një situatë të tillë”, - është shprehur Kukan. Me keqardhje ka folur edhe eurodeputetja Doris Pak. “Më vjen shumë keq që jemi ende në këtë situatë që është kaq problematike. Tani ka protesta, bëhet greve urie, po ata duhet të punojnë bashkë dhe i kuptoj shqiptarët që u ka ardhur në majë të hundës, që nuk besojnë më tek askush, as te kjo qeveri, as te opozita, pasi kjo sjellje nuk e ndihmon klimën e krijuar në shoqërinë shqiptare”, - është shprehur Pak. Më tej eurodeputeti Bostinaru u ka bërë thirrje Ramës e Berishës që të nisin menjëherë bashkëpunimin për arritjen e një marrëveshjeje. “Çmimi është shumë i lartë e ata duhet t’i bëjnë stop. Letrat janë në duart e zotit Berisha, sepse unë, po të isha kryeministër i Shqipërisë, e imagjinoj se ç'duhet të bëja, por fakt është se është z. Berisha që duhet të tregojë lidership, gatishmëri e fleksibilitet për të arritur marrëveshje”, - është shprehur Bostinaru.
5 Maj 2010