Eurodeputetja Fajon: “Shqipëria në regjimin e vizave, por hapja, pas realizimit të kushteve”
Parlamenti Europian ka shqyrtuar një propozim të raportueses së posaçme për çështjen e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përfshirë Shqipërinë dhe Bosnjën në regjimin pa viza të BE-së menjëherë sapo të plotësojnë kushtet. Autorja e propozimit, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, tha në një intervistë për BBC-në se ajo shpresonte të arrihej një konsensus me Komisionin Europian që Shqipëria e Bosnja të mos u nënshtrohen procedurave të gjata legjislative edhe njëherë, por ato të përfshihen në regjimin pa viza automatikisht sapo Komisioni të jetë i kënaqur se kanë plotësuar kushtet.
Ajo tha se nga informacionet e saj, këto dy vende kanë bërë përparime të konsiderueshme në plotësimin e kushteve. “Në projekt-raportin tim unë po përpiqem të shtoj edhe Bosnjën e Hercegovinën dhe Shqipërinë në rregullat e propozuara nga Komisioni Europian në korrik, kur këto dy vende u lanë jashtë”, - tha eurodeputetja sllovene. Sipas saj, “është e nevojshme për t'u dërguar një mesazh shumë të fortë politik qytetarëve të këtyre dy vendeve se ato nuk janë lënë pas dhe se kur qeveritë e tyre do të plotësojnë kushtet e nevojshme që kanë mbetur, të cilat kërkohen nga Komisioni Europian, ne nuk do të humbasim kohë shtesë dhe Komisioni menjëherë të bëjë vlerësimin dhe të përpiqet të heqë kërkesën për viza”.
“Nëse dy vendet gati i kanë plotësuar të gjitha kërkesat e vendosura nga Komisioni Europian, nuk shoh asnjë arsye pse Komisioni të mos bëjë menjëherë vlerësimin që ne t'u hapim derën këtyre dy vende pa vonesa të mëtejshme”, - tha zonja Fajon. Por, sipas saj, kjo varet, sigurisht, edhe nga qeveritë e të dy vendeve. Së pari, ato duhet të plotësojnë kërkesat. Ne nuk po u japim këtyre vendeve një biletë falas, nëse do të shprehesha kështu”. Votimi i parë i këtyre amendamenteve do të bëhet më 15 tetor, pastaj votimi në seancë plenare do të jetë në muajin nëntor. Sllovenia, bashkë me Italinë, kanë qenë mbështetëset kryesore për heqjen e vizave të BE-së me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ato kanë bërë lobim aktiv edhe për Shqipërinë gjatë gjithë këtyre muajve. Komisioni Europian ndodhet nën presionin e vazhdueshëm për këtë çështje jo vetëm nga eurodeputetët, por edhe nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile.
1 Tetor 2009