E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “E ndërpresim bojkotin nëse garantohet hetimi kushtetues për zgjedhjet”



Partia Socialiste cilëson se ndërmarrja e një hetimi kushtetues për zgjedhjet do të ndërpriste krizën politike në Shqipëri dhe do të krijonte të gjitha kushtet për hyrjen e saj në Parlament. Deputeti socialist, Erion Braçe, deklaroi dje se vetëm hetimi kushtetues është hapi i parë i zgjidhjes së krizës. Sipas Braçes, e drejta për të hetuar është një e drejtë kushtetuese që nuk mund t’i mohohet askujt, aq më tepër kërkesës së ¼ të deputeteve të Kuvendit. “Vota e lirë, e fshehtë, e barabartë dhe vetjake si parim kushtetues shqiptar dhe standard dallues ndërkombëtar, bën të funksionojë një regjim demokratik, pra dhe në Shqipëri. Cenimi deri në rrënim i këtij parimi ka futur në krizë demokracinë në këtë vend. Sali Berisha manipuloi zgjedhjet e 28 qershorit dhe për këtë ai është sot shkaktari i kësaj krize. PS-ja ka qenë e qartë dhe korrekte, ka të gjithë vullnetin për ta zgjidhur këtë krizë. Ne po kërkojmë të vëmë procesin zgjedhor nën një dimension legal të së vërtetës ligjore, përmes një instrumenti kushtetues hetimi, në referencë të një standardi ndërkombëtar të transparencës. Kushtetuta e Republikës ka garantuar, në Nenin 77/2, hetim pa kufi, si e drejtë detyruese për Kuvendin e ¼ së deputetëve. Maxhorancat, formalisht përmes një ligji të dalë boje dhe kjo maxhorancë e vjetër e riformatuar së fundi, materialisht me raste të provuara në katër vite, kanë dalë mbi Kushtetutën duke kufizuar, penguar e dështuar hetimet për çështje të caktuara. Garantimi i transparencës përmes hetimit të zgjedhjeve është hapi i parë që zgjidh krizën dhe hap rrugën për zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta. Ky nuk është një vendim personal i Edi Ramës, por i Partisë Socialiste, partisë më të madhe në vend. Berisha duhet të ketë frikë nga kutitë e votimit, jo nga e vërteta si konkluzion ligjor i hetimit. Po e përsërisë, vetëm hetimi kushtetues, pa kufi, është hapi i parë që nis të zgjidhë krizën. Berisha duhet të vendosë tani! Ndryshe, kriza e rëndë ekonomike të cilën nuk e fsheh dot shamia me ngjyrë e guvernatorit buzagaz, kriza e rëndë deri në mosekzistencë e Drejtësisë, kriza e lirisë që po i imponohet me dhunë medias, shtuar me krizën politike të sistemit demokratik, do të jetë e papërballueshme për të e, për fat të keq, për çdo shqiptar”, - tha Braçe.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›