E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurodeputetja Pack: Situata në Shqipëri e tensionuar

TIRANE- Europarlamentarja Doris Pack në një intervistë për “Dojçe Vele” shprehet se situata është e trishtueshme dhe se tashmë gjendja po përshkallëzohet. “Është në rregull që Ilir Meta dha dorëheqjen. Por në Shqipëri ka vazhdimisht të akuzuar për korrupsion, vazhdimisht njëra palë fajëson tjetrën. Natyrisht që opozita e shfrytëzon këtë sa të mundet, por kjo e tëra mund të rezultojë në bumerang. Por e trishtueshme është që situata politike në Shqipëri e bën të vështirë punën. Shumë ligje nuk kanë mundur të miratohen në parlament, për shkak se kërkohet një shumicë votash më e madhe sesa fraksionet qeveritare. E tërë klima politike është helmuar. Kur lexon gazetat e përditshme, pyet se kur do të marrë fund kjo dhe kur qytetarët e Shqipërisë do ta humbasin durimin. Protestat e vazhdueshme të opozitës dhe kërcënimet janë tërësisht kontraproduktive. Unë mund të them se situata tani në Shqipëri është për të ardhur keq”, - tha Pack gjatë intervistës.
Pyetjes a do të ishte zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme një zgjidhje përfundimtare e krizës politike që po zgjat prej gati 20 muajsh në Shqipëri, zonja Pack iu pergjigj: "Kjo do të varej nga përfundimi i tyre. Nese ato përfundojne me rezultatin e fitores së socialistëve, atëherë ata do të kenë arritur atë çka duan, por në këtë moment situata do të ishet e tillë ku opozita e përbërë nga partia demokratike dhe parti të tjera do të ngrinin pyetjen a mund te njihet kjo qeveri. Pra loja politike është shumë e keqe. Në demokraci duhet të pranosh që ke një shumicë apo që je në një pakicë. Kështu është për të gjithë në të gjithë vendet. Por kjo nuk i përshtatet politikanëve në Shqipëri që nuk kanë sens demokratik. Kush e ka pushtetin do ta ushtrojë atë dhe të tjerë dëshirojnë që ai të mos e ushtrojë pushtetin. Kjo është një lojë e tmerrshme dhe në qoftë se të dyja palët nuk i japin fund sa më shpejt kësaj, do të jetë shumë e errët e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne presim që politikanët në këtë vend të flasin me njëri-tjetrin, që të zgjidhin me njëri-tjetrin problemet dhe jo vetëm me kokëfortësi dëshirojnë vetëm të protestojnë dhe me protesta duan të rrëzojnë qeverinë, një qeveri që është legjitime në punë dhe duhet të vazhdojë punën. Protestat mund të bëhen kundër projektligjeve të veçanta, por jo kundër një qeverie që është në detyrë për të cilën nuk mund të thuash që e ka këtë detyrë në mënyrë të paligjshme."
(s.g/GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›