E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurodeputetja sllovene dekurajon Prishtinën

Fajon: Kosova, ende larg marrjes së një udhërrëfyesi
Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, pohon se Kosova është ende larg marrjes së një udhërrëfyesi nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave, por shfaqi shpresën se Komisioni Europian do të fillojë së shpejti një lloj dialogu edhe me Prishtinën për këtë proces. "Sepse nëse vazhdojmë që të kemi këtë lloj 'muri të hekurt' për Ballkanin Perëndimor nuk mund të flasim për paqen, përparimin dhe për një kontinent të bashkuar europian", nënvizoi Fajon në një intervistë për BBC-në.
Fajon theksoi se statusi i pazgjidhur i Kosovës për 5 vendet anëtare të BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, do ta vështirësojë rrugën për të gjetur zgjidhjen për qytetarët e Kosovës. Ndonëse, sipas mendimit të saj, "presidenca spanjolle do të jetë e përkushtuar për procesin e zgjerimit".
Ajo tha se ka shumë mendime liberale brenda BE-së, por edhe mendime të rezervuara. Fajon theksoi se është e domosdoshme të zgjidhet statusi i Kosovës, duke shtuar se "procesi i liberalizimit të vizave do të duhej të ishte i ndarë", për të gjetur, siç tha, "një lloj zgjidhjeje për të përfshirë Kosovën dhe qytetarët e saj në këtë proces". Fajon porosit autoritetet në Prishtinë për vazhdimin e reformave, siç tha, jo për të përmbushur disa pritje të Brukselit, por për qytetarët e Kosovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›