E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, pezullohet mësimi në universitet, pedagogët në grevë

Pedagogët e UV-së protestojë, studentët e painformuar për arsyet

Pezullohet mësimi në Universitetin e Vlorës. Ka qenë një grevë pa afat e lajmëruar me e-mail, që ka “kyçur” dje, Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”. Shkak është bërë një protestë e stafit akademik, që pas një e-maili të nisur nga rektori Tanush Shaska, nuk ka zhvilluar asnjë nga orët e mësimit apo edhe provimet e parashikuara për dje. Pedagogët e këtij universiteti i kanë kërkuar MASH-it plotësimin e tre kërkesave, e më konkretisht promovimin e stafit akademik për dhënien e titujve akademik, programe dhe degë të reja, si dhe shtimin e auditorëve.
Zv.rektori i UV-së, Eustrat Zhupa, tha për mediat se protesta e nisur dje do të vijoj deri në afat të përcaktuar, derisa të plotësohen tre kërkesat e parashtruara ministrisë.
Ndërkaq, studentët nuk ishin njoftuar më parë për zhvillimin e grevës së pedagogëve. Ata kanë shkuar të paraqiten si çdo ditë për të zhvilluar mësim apo dhe provime, por janë detyruar të kthehen mbrapsht, pasi janë njohur me vendimin e stafit akademik.
Studentët theksojnë se janë lajmëruar dje me një e-mail të dërguar nga rektori Shaska, në adresat e tyre. Ata sqarojnë se nuk i dinë arsyet e protestës, përveç faktit se ajo është ndërmarrë nga pedagogët. Një banderolë e madhe, ku shkruhet “autonomi, liri akademike” është vendosur në fasadën kryesore të godinës C të universitetit, pranë rektoratit, ndërkohë që bokse të mëdhenj që transmetonin muzikë janë vendosur mbi këtë godinë.
Në faqen zyrtare të UV-së në internet është botuar edhe një deklaratë për shtyp, e cila sqaron arsyet pse rektorati ka ndërmarrë këtë grevë, madje shkon edhe më tej në pyetje e fyerje ndaj ministrit Tafaj e disa deputetëve.
“Theksojmë se protesta jonë nuk ka karakter politik, por akademik. Pedagogët dhe studentët e Universitetit të Vlorës kërkojnë të respektohet “autonomia dhe liria akademike” e parashikuar ashtu siç parashikohet shprehimisht në Ligjin e Arsimit të Lartë”, thuhet në e-mailin e shpërndarë dje nga rektori Shaska.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›