E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen portat, uji lë Shkodrën

Situata mbetet ende problematike në fushat e Velipojës. Rritet frika për epidemitë
Fierza dhe Komani nuk shkarkojnë më ujë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njoftoi dje se është urdhëruar ndërprerja e shkarkimeve nga dy hidrocentralet e mëdhenj mbi Drin, duke ulur kështu nivelin e prurjeve edhe në Vaun e Dejës dhe pakësimin e shkarkimeve edhe aty. Zv.ministri Leonard Beqiraj njoftoi se në Vaun e Dejës do të vazhdojnë shkarkimet me 200 metër kub ujë në sekondë, gati një e dhjeta e sasisë së ujit që u shkarkua nga ky hidrocentral gjatë ditëve të para të janarit.
Të parët që e kanë ndier përmirësimin e situatës në kaskadën e Drinit kanë qenë banorët e qytetit të Shkodrës, nga ku uji është larguar tashmë thuajse plotësisht.
Në lagjen “Xhabije” rrugët janë thuajse të zhbllokuara, ndërkohë që ekipe nga Maqedonia kanë punuar me anë të pompave të posaçme, duke larguar ujin nga rrugët për ta derdhur atë në kanalizimet që shkojnë drejt Bunës. Lumi Buna ka rifituar tashmë rolin e tij natyror të shkarkimit të ujërave të liqenit në det dhe specialistët besojnë se shumë shpejt edhe niveli i Liqenit të Shkodrës do të kthehet në kuota normale, duke e larguar ujin nga çdo pjesë e qytetit.
Velipoja, tani një ishull
Gjendja vazhdon të mbetet mjaft kritike në zonën e Velipojës. Komuna Velipojë vazhdon të jetë e izoluar prej nëntë ditësh, pasi një segment rrugor prej 3 kilometrash është i pakalueshëm për shkak të ujit që vende-vende arrin deri në 2 metra. E vetmja mënyrë komunikimi për këtë komunë me pjesën tjetër të vendit janë varkat, ndërsa helikopterët e ushtrisë bëjnë furnizimin me miell e ujë. Një nga banorët e zonës, Tomë Zefi, tha dje për “Shqip” se “kjo përmbytje nuk është parë kurrë në Velipojë. Kemi nëntë ditë që vetëm me varkë mund të zgjidhim problemet tona, pastaj nuk ka shumë varka dhe detyrohemi të presim me orë të tëra. Nëse nuk do të na shërbente ushtria, asnjeri nuk do kishte mundur të lëvizte nga Velipoja”.Në Velipojë gjenden të përmbytura dymijë hektarë tokë dhe 50 shtëpi. Përgjatë fushave të Velipojës, që ndodhen në kufi me Komunën Dajç, shikon çati shtëpish dhe stanesh të mbuluara nga uji dhe pamja të ngjason me një liqen të madh, ku nuk mund të dallosh nëse ka pasur rrugë ndonjëherë. Ndërkohë, kryetari i Komunës Velipojë, Nikollë Marku, duke folur për gazetën tha se “jemi në një situatë kritike, i presim ushqimet me helikopter dhe njerëzit lëvizin vetëm me varka. Jemi të izoluar, nga njëra anë kemi detin, nga ana tjetër kemi lumin Buna. Jemi tetë fshatra me dhjetë mijë banorë të izoluar, për shkak të bllokimit të rrugës tek ura Gjo Lulit”, thotë kryekomunari. Në të tillë situatë është edhe zona e Malit të Jushit në Bushat, ku rruga është e bllokuar dhe qindra banesa janë të izoluar nga pjesa tjetër e vendit.
Frikë nga epidemitë
Situata pas përmbytjeve pritet të jetë problematike në zonën e Nënshkodrës. Përzierja e ujërave të bardha me ato të zeza dhe bllokimi i kolektorëve në qytet, si edhe përmbytja e puseve dhe gropave septike në fshat mund të bëhen burim epidemie në këto zona.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk japin të dhëna mbi situatën, ndonëse janë bërë matje, pasi i gjithë informacioni është përqendruar në shtabin e emergjencës që kryesohet nga ministri i Brendshëm.Specialistet thonë se do të përpiqen që të parandalojnë epideminë, e cila pasi të largohet uji ka terren të përshtatshëm. Ata kërkojnë të dezinfektohen në mënyrë të vazhdueshme pusetat e ujërave të zeza në lagjet e qytetit të Shkodrës, ndërsa për banorët e fshatrave kërkohet të mos konsumojnë ujin e puseve, edhe pas pastrimit të tyre, deri sa të jenë bërë analizat nga Drejtoria e Shëndetit Publik.
Specialistë të shëndetësisë thonë se në planin e masave janë përfshirë edhe këshilla për banorët, për të respektuar mirë rregullat higjieno-sanitare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›